“Jam kryetar i Bashkisë”, Veliaj premton rezistencë: Më kanë mbyllur me vrasës, ka një përçmim për votën

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 11:28 | Politikë

“Jam kryetar i Bashkisë”, Veliaj premton rezistencë:

Erion Veliaj premtoi se do të vijojë betejën e tij për drejtësi për të mbrojtur atë që ai e quajti kontratën me qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë zgjedhur 3 herë radhazi në këtë post.

Në gjykatën kushtetuese, Veliaj i kërkoi trupës që të mbrojë demokracinë e cila sipas tij është vënë në sprovë.

Teksa e cilëson arrestimin e tij si një rrëmbim e mbyllje me vrasës serial, Veliaj insiston se nuk ka bërë asnjë shkelje të rëndë për ta shkarkuar nga detyra.

“Kjo është e drejta ime për të qenë këtu. Faleminderit që më dhatë këtë të drejtë. Kam pritur 9 muaj për këtë të drejtë. Me kanë izoluar në një qeli me vrasës serialë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë me shkelje të të drejtave. Ky është një përçmim ndaj votës. Ky është një përçmimi që populli i jep republikës për ta drejtuar në emër të tij. Jam këtu si kryetar i bashkisë së Tiranës me të drejtën që ma kanë dhënë 165 mijë qytetarë. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për të kërkuar mbrojtjen e demokracisë që sot po vihet në sprovë. Jemi betuar që ta mbrojmë demokracinë. Ky nuk është mandati im, por një kontratë besëlidhje dhe do bëj gjithçka që ma lejon ligji për ta mbrojtur këtë kontratë. Askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri. Me respekt, pyes çfarë shkelje të rëndë kam kryer unë?, tha Veliaj në Gjykatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos