Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën e Presidencës për të shpallur moskompetencën lidhur me dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve vendore për Tiranën, pas shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë nga ana e Këshillit të Ministrave, shkruan A2 CNN.
Në nisje të seancës në Kushteutese, ku Veliaj ka goditur vendimin e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave, por edhe dekretin e Presidentit për zgjedhjet, Presidenca pretendoi se dekreti kishte karakter administrativ dhe si i tillë duhej goditur në Gjykatën Administrative. Por Kushtetuesja e rrëzoi këtë pretendim.
I pranishëm në këtë seancë gjyqësore është edhe vetë Erion Veliaj, i cili ka lënë disa orë qelinë e paraburgimit të Durrësit.
Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. (A2 Televizion)
