Fjoralba Dizdari, Sekretare për integrimin Evropian në Partinë Demokratike, deklaroi se Shqipëria ka gjithë mundësitë për t'i bërë realitet standardet e BE-së, por aktualisht, sipas saj, jemi shumë larg këtyre standardeve.
“Nuk duhet ta trajtojmë Bashkimin Europian si një ceremoni që do të ndodhë në Bruksel. Integrimi europian është procesi përmes të cilit Shqipëria përafron legjislacionin shqiptar me atë europian dhe mbi të gjitha tregon nëse institucionet shqiptare janë në gjendje t'i zbatojnë ato. Shqipëria është e aftë t'i bëjë në realitet këto. A ndryshon, a përmirësohet jeta e qytetarit? Institucionet e Bashkimit Europian, edhe zonja Von Der Leyen, edhe zonja Kos, e kanë thënë vazhdimisht që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një interes gjeopolitik dhe kjo e favorizon padiskutim Shqipërinë. Unë them që ka gjithë mundësitë Shqipëria për t'i bërë realitet standardet e BE-së, por jemi shumë larg zbatimit të këtyre standardeve në jetesën e qytetarëve shqiptarë. Ne sot kemi një kryetar bashkie që drejton nga burgu. Jemi si kartelet. Bashkimi Europian ka qenë shumë i drejtpërdrejtë kur ka thënë lëreni SPAK-un të hetojë edhe në nivele të larta”, tha Dizdari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, Dizdari theksoi se nuk do të ketë anëtarësim nëse nuk zbatohen reformat.
“Von Der Leyen dhe ambasadori amerikan që ka ardhur këto ditë në Shqipëri, të dy rastësisht theksuan të njëjtën gjë. Duhet një drejtësi e drejtë, kuadrin zgjedhor që e tha Bashkimi Europian, dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave. Duhen zbatuar reformat”, shtoi zyrtarja demokrate. (A2 Televizion)