
Gazetari Mentor Kikia ishte i ftuar në Çdokënd me Merita Haklajn ku mes të tjerash komentoi dhe deklaratën e komisioneres për zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama në Tiranë, u shpreh se zgjedhjet e 11 majit ishin të lira dhe të drejta.
Kikia deklaroi se për herë të parë në Bruksel ka një dashamirësi të madhe për Shqipërinë, por deklarata të tilla nuk i shërojnë plagët për zgjedhjet, nuk janë reale dhe as korrekte.
“Në Bruksel ka një dashamirësi të jashtëzakonshme ka një klimë politike miqësore ndaj Shqipërisë që nuk ka qenë asnjëherë dhe ndaj asnjë shteti. Kjo do të thotë që Shqipëria nuk ka më argumente me fobi, por ka një dashuri të ekzagjeruar.
Ky është një shans që kemi për t’iu bashkuar BE. Dhe këtë flamur e tund Kos. Përtej afeksionit që ajo tregon për kryeministrin, deklaratat e saj nuk janë reale, korrekte për realitetin. Ajo e zgjedhjeve sot ishte një kërcitje.
Raporti i ODIHR mund të ishte më kritik, por dhe aq ishte një kambanë alarmi. Dhe kjo kambanë duhet të bjerë tek ne, por edhe në Bruksel ku monitorohen me lupë standardet. Të thuash që zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta duhet një lloj guximi.
Nuk na nevojiten qëndrime hipokrite si ai i komisioneres sepse nuk është i vërtetë. Ne duam ta shërojmë plagën dhe jo ta mbulojmë me batanije”, tha Kikia në A2 CNN.
(A2 Televizion)
