“Kam 1000 pyetje për Beqajn”- Vokshi akuza deputetëve të PS: Po pengoni dëshminë e ish-ministrit që të fshihni vjedhjet

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2024, 16:51 | Politikë

“Kam 1000 pyetje për Beqajn”- Vokshi akuza deputetëve

Komisioni Hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në Shëndetësi u përfshi nga debate të forta mes kryetares Albana Vokshi dhe deputetit socialist Plarent Ndreca, lidhur me dhënien ose jo të dëshmisë nga ish-ministri Ilir Beqaj, i cili u paraqit sot në ambientet e Kuvendit, teksa ndodhet në qelitë e paraburgimit.

Ndreca ishte i përqëndruar te ana proceduriale e procesit, teksa thoshte se PS ka parashtruar një kërkesë dhe Komisioni fillimisht duhet të shprehej mbi këtë kërkesë, e më pas të merrte dëshminë e Beqajt.

Nga ana tjetër Vokshi i akuzoi socialistët se kanë shkuar në Komision me skenar të parapërgatitur për të penguar Ilir Beqajn të dëshmonte.

Ajo tha se kishte 1000 pyetje të vetat për t’i bërë Beqajt, prandaj kërkoi nga socialistët që të mos bllokonin procesin, që sipas saj, bëhej për të penguar zbardhjen e korrupsionit.

Pjesë nga diskutimi në Komision:

Ndreca: Ne vijojmë të kemi të njëjtin qëndrim, ka një kërkesë të depozituar dhe ne duhet të shprehemi mbi kërkesën. Në të kundërt nuk mund të vijojmë procedurialisht asgjë tjetër. Është indiferente për ne prezenca e dëshmitarit për këtë shkak.

Vokshi: Krejt e lexueshme lëvizja juaj. Mua më vjen keq që e nxorët atë të shkretin nga burgu me pranga në duar dhe e sollët këtu për të bërë shou. Ju nuk doni ta vazhdoni sepse doni të fshihni gjithë vjedhjet, korrupsionin, nuk doni të lini kohë që të thërritet Vilma Nushi dhe Edi Rama. Është skenar i përgatitur, unë e mendova që mbrëmë. Juve iu intereson që të fshihni të gjitha pagesat për gjëra të pakryera. Unë ju bëj thirrje, lereni Beqajn të bëjë deklaratën paraprake. Kam 1000 pyetje për t’i bërë Beqajt. Na lejoni të vijojmë, që të mund të marrim edhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos