“Kam respekt për Dumanin”, Rama heq dorë nga sulmet ndaj SPAK

Nga Ervin Koçi
6 Mars 2025, 15:12 | Politikë

Edi Rama ndryshoi regjistrimin e zërin kur foli për drejtësinë. Tonet e larta dhe kritikat publike të pak javëve më parë, i zëvendësoi me fjalë mbështetëse për SPAK dhe veçanërisht për Altin Dumanin duke treguar një faqe tjetër pas tre javësh akuza. 

“Altin Dumani, për të cilin kam shumë respekt për hir të vërtetës dhe që ia kam shprehur publikisht solidaritetin kundër të gjithë qenërisë që i turret për ta vënë nën presion, nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot sepse unë i dorëzova shpatat për të bërë këtë që po bëjmë, patjetër, sepse kjo është e vetmja rrugë, nuk ka një rrugë tjetër”, tha Rama.

Në takimin e radhës “sy m’sy”, pohoi se pavarësisht krahasimeve me hetuesinë komuniste apo drejtësinë e Vladimir Putin, nuk është penduar për mbështetjen që i ka dhënë reformës, shkruan A2 CNN.

“Unë e dija çfarë po bëja dhe sot, po të them prapë, 100 herë të kthehem mbrapa 100 herë e bëj këtë gjë pavarësisht rezervave që mund të kem për një rast, për një rast tjetër, pavarësisht lajthitjeve që janë pjesë e një procesi rritjeje të disa institucioneve që janë të reja fare”, u shpreh Rama.

Prioritet i Edi Ramës është anëtarësimi në Bashkimin Europian, kartë të cilën duket se do ta ketë edhe premtim kryesor në fushatën për parlamentaret e 11 majit.  

“Një mandat, në 4 vjet. E kuptoni se çfarë na ka ardhur në dorë dhe e kuptoni sa tragjike do ishte ta humbnim këtë oportunitet, duke ngatërruar rrugën e duke u mbytur në një lugë ujë?”, tha Rama.

Përballë në zgjedhje socialistët kanë “Shqipërinë Madhështore”, koalicionin me 26 parti të drejtuar nga Sali Berisha, të cilin kreu i qeverisë e etiketoi si rrezikun për të kthyer Shqipërinë mbrapsht.  

“Kujtim Gjuzi, Nard Ndoka, Jenisheri, jenisherët...shiko, Kujtim Gjuzi është më ekselenti aty është më i miri nga ata. Është më i miri, më simpatiku, më evropiani nga ata”, tha Rama .

Atyre që injorojnë politikën, u tregoi se me indiferencën e vetlejojnë politikën të merret me jetët e tyre, ndaj kërkoi që secili të mendojë mirë për votën që duhet të hedhë në kutinë e votimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos