Kandidatja për deputete tregon me çfarë mburret PS pas 12 vitesh në pushtet

Nga A2 CNN
23 Mars 2025, 20:39 | Politikë

Kandidatja për deputete tregon me çfarë mburret PS pas 12

Një në pesë deputetë nga totali i listave të Partisë Socialiste vijnë nga platforma “Deputeti që Duam.”

Dhe këta kandidatë, sipas bashkëthemelueses së kësaj platforme, Romina Kuko, janë njerëz idealistë që nuk e kanë mësuar politikën përmes asaj që ajo e cilësoi si “Judo e betatit.”

“Ata janë individë të shquar që besoj se do të performojnë shumë mirë,” u shpreh Kuko, e ftuar mbrëmjen e së dielës në "Off the Record" nga Andrea Danglli, duke shtuar se një pjesë e tyre vendosën të garonin në lista të hapura për të testuar kështu edhe veten e tyre.

Ndërsa, e pyetur se sa realist mund të quhet premtimi elektoral i kryesocialistit Edi Rama për “pasaportën europiane”, kandidatja e për deputete u shpreh se ajo është një mënyrë simbolike për t’u shprehur rreth punës së bërë deri më sot për ta afruar Shqipërinë sa më afër familjes europiane.

E nëse gjërat nuk do të shkojnë mirë dhe Shqipëria mund të “humbasë trenin”, Kuko shtoi se PS do të angazhohet që ta krijojë Shqipërinë europiane, me standartet që aplikohen edhe në Union.

Dhe sa i përket faktit që shqiptarët po largohen gjithnjë e më shumë, Kuko thotë se në katër vitet e ardhshme, nëse del fituese, PS do të ketë politika më “agresive” për t’i mbajtur qytetarët në vend, ose edhe për të krijuar kushtet që ata që kanë ikur, të kthehen dhe të investojnë paratë dhe dijet e tyre në vendlindje.

Thënë të gjitha këto, me çfarë mburret sot Partia Socialiste?

“Mjafton të dalësh të hedhësh sytë në çdo qytet të Shqipërisë dhe të shohësh se ajo që ne e quajtëm Rilindja Urbane, ishte pararoja e zhvillimit të vendit. Ishte hapi  i parë për t’i dhënë një çehre qyteteve. Për të mos pasur ato qytete që t’i mos e merrje vesh nga hyje e nga dilje,” shpjegoi Kuko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos