Kaosi në Kuvend, Salianji letër nga burgu për sjelljen e PS: Agresorët po shfaqen si viktima!

Nga A2 CNN
3 Tetor 2024, 16:26 | Politikë

Kaosi në Kuvend, Salianji letër nga burgu për sjelljen e PS:

Përplasje fizike, shtyrje me gardistët dhe tentativë për të ndaluar edhe me forcë fizike hyrjen e kolegëve socialistë në sallën e seancave plenare.

Kjo ishte panorama e aksionit opozitar të kësaj të enjte në Kuvend, të cilët deputetët e mazhorancës ia doli t’i shpëtonin duke hyrë nga dera e pasme.

Opozitarët u kritikuan më pas nga Taulant Balla, i cili mori në dorë të reagonte në emër të të vetëve duke shprehur edhe njëherë bindjen se mosbindja civile në Kuvend bëhet për arsye të tjera dhe jo për vendimin e Gjykatës së Apelit për ish-deputetin Ervin Salianji, raporton A2.

E teksa kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu drejtua Presidencës për t’u konsultuar me Bajram Begajn për një zgjidhje për krizën politike që ka kapluar Parlamentin, vetë Salianji që është bërë “mollë sherri” për PD e PS, ka reaguar nga burgu i Fierit ku po vuan dënimin, shkruan A2.

Përmes një letre që i është dorëzuar avokatit të tij, Salianji shprehet se me hipokrizi neveritëse agresorët, që sipas tij janë nga radhët e mazhorancës po paraqiten si viktima dhe dhunuesit e abuzuesit e pronës publike si të dhunuar.

Sipas Salianjit, “dhuna dhe brutaliteti më i madh është eliminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet”.

LETRA E SALIANJIT:

Shfaqja e agresorëve si viktima, e dhunuesve si të dhunuar, e abuzuesve si të prekur nga prekja e pronës publike është hipokrizi neveritëse.

Njësoj siç vjedhin dhe përgjegjësinë e mbajnë denoncuesit, siç shkretojnë dhe shkatërrojnë, siç e ndajnë Shqipërinë si plaçkë lufte për bandat dhe mes bandave, siç përndjekin administratën, shkatërrojnë meritokracine, sot po përpiqen të sillen si viktima.

Dhuna dhe brutaliteti më i madh është eliminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet. Duke përdorur institucionet,  si komisionet e partisë, për të fshikulluar dhe hequr lirinë dhe asgjësuar të drejtat.

Krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Pas vrasjes, burgosja politike është forma më e rëndë dhe më brutale e dhunës. Opozita po mbrohet dhe po mbron demokracinë dhe interesin publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos