Kaosi në Parlament, PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 14:44 | Politikë

Partia Socialiste ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e një numri të madh deputetësh të Partisë Demokratike nga Kuvendi, pas skenave të kaosit dhe dhunës që u regjistruan këtë të enjte në seancë, shkruan A2 CNN.

PS ka kërkuar përjashtimin nga punimet e Kuvendit me 60 ditë për deputetët Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Fidel Kreka, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, Klevis Balliu, dhe Flamur Noka.

Gjithashtu PS kërkon përjashtimin për 30 ditë nga punimet e Kuvendit për deputetët e tjerë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi.

Përjashtim me 10 ditë nga punimet në Kuvend është kërkuar për deputetët e tjerë, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.

“Seanca Plenare e datës sotme ishte një seancë me shumë akte dhune dhe incidente të rënda deri në hedhje të lëndëve piroteknike në sallë dhe të sendeve të tjera të forta kundër Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Siç duket qartë nga pamjet bashkangjitur kësaj kërkese dhe pamje të tjera të bëra publike nga mediat ky skenar dhe këto akte dhune kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura më parë”, tha zëdhënsja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjona Ismaili. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos