Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, foli sot në Forumin e Lidhjes në Tiranë 2025, duke iu drejtuar liderëve, zyrtarëve dhe ekspertëve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani Perëndimor.
Në fjalën e tij, Kapetanoviç theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, besimit dhe kohës së duhur për avancimin e agjendës së integrimit evropian të rajonit, duke u bazuar në gjetjet e sondazheve kryesore të RCC-së, Barometri i Ballkanit dhe SecuriMetri të cilat pasqyrojnë njëkohësisht optimizëm dhe padurim tek qytetarët.
“Qytetarët tanë po na thonë dy gjëra në të njëjtën kohë: ata janë optimistë për atë që Evropa mund të sjellë, por njëkohësisht janë të shqetësuar nëse kjo do të ndodhë me kohë. Prandaj Këshilli për Bashkëpunim Rajonal përqendrohet në shndërrimin e optimizmit në rezultate konkrete – uljen e tarifave të roaming-ut, lehtësimin e tregtisë, forcimin e mobilitetit, avancimin e aftësive digjitale. Këto janë rezultate të prekshme që ndërtojnë besim, kredibilitet dhe qëndrueshmëri,” tha Kapetanoviç.
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së theksoi rolin e Këshillit si një urë rajonale, që lidh vendet anëtare të BE-së dhe aspirantët përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal 2025–2028 dhe Agjenda e Gjelbër, duke përgatitur rajonin njëkohësisht për sfidat e së ardhmes, si transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale.
Kapetanoviç shtoi: “Optimizmi i kujdesshëm nuk është naivitet. Do të thotë të jesh realist për rreziqet, por të refuzosh paralizën. Zgjerimi nuk duhet të mbahet mend si lodhje, por si rinovim i Evropës – me Evropën Juglindore në qendër të saj”.
Në kuadër të Forumit, Sekretari i Përgjithshëm Kapetanović u takua me Ministren e emëruar për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropalli. Ata diskutuan për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, prioritetet e bashkëpunimit rajonal dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit në ofrimin e përfitimeve konkrete për qytetarët. (A2 Televizion)