KAS i hapi rrugë numërimit të votave të Greqisë, PD: Të veçohen dhe të numërohen pas verifikimeve

Nga A2 CNN
13 Maj 2025, 17:25 | Politikë

KAS i hapi rrugë numërimit të votave të Greqisë, PD:

Me shumicë votash KAS vendosi këtë të martë që të pranojë ankesën e Partisë Socialiste duke shpallur pavlefshëm vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për të vijuar procesin e numërimit të votave të Diasporës, pa ato të zarfeve nga Greqia.

“Pas dëgjimit të pretendimeve dhe konkluzioneve përfundimtare të palëve, KAS u tërhoq për vendim dhe me shumicë votash vendosi pranimin e kërkesës ankimore të PS, konstatimin e pavlefshmëri absolute të vendimit të KSHZH për administrimin e zarfit B, pjesë përbërëse e dokumentacionit të votimit nga jashtë në rastin kur ai nuk vlerësohet nga KNVJ dhe KANVVJ. Kundër këtij vendimi mund të behet ankim në Kolegjin Zgjedhor deri në 5 ditë nga shpallja e tij”, thuhej në vendimin e KAS.

Pas vendimit të KAS, përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu foli për mediat nga qendra e numërimit në Parkun Olimpik, duke thënë se do të vijojnë të kërkojnë që të mos numërohet asnjë zarf i ardhur nga Greqia, derisa të provohet që ato zarfe janë të zgjedhësve nga vendi fqinj.

Ky është manipulim që i është bërë votuesve shqiptar që jetojnë në Greqi ku është shkelur masivisht protokolli i sigurisë, pasi ai parashikonte që kur një zarf arrin njoftohet zgjedhësi që të marr zarfin ose t’ia dërgojë në shtëpi atij dhe kjo nuk ka ndodhur dhe parashikohej që ta merrte personalisht zarfin. Ne i kemi kërkuar KQZ që të na vërë në dispozicion nënshkrimet e zarfeve që kanë ardhur nga Greqia.  Zgjedhësi që merr në dorëzim zarfin duhet që të nënshkruaj dhe nënshkrimi është i njëjtë me atë të kartës së ID. Në këtë fazë këtë verifikim e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne nuk kemi kërkuar që të përjashtohen këto fletë votimi që kanë ardhur nga Greqia, por të veçohen për momentin zarfet që kanë ardhur nga Greqia dhe të vijoj numërimi për shtete të tjera. Kur të vijë dokumentacioni të shohim se si do të procedohet me votat që vijnë nga Greqia dhe pasi të sigurohemi se janë shprehje e vullnetit shqiptar dhe pasi të vërtetohet do ti nënshtrohen numërimit", tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos