Edhe në Fier, si në mbarë vendin, ka nisur mëngjesin e kësaj të diele procesi i votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Qarku i Fierit numëron 381 524 votues dhe 32 553 votues të regjistruar në diasporë, ndërsa zgjedh 16 deputetë, mandate që do të ndahen në bazë të votave të fituara nga subjektet politike dhe kandidatët në garë, çka e rendit qarkun e dytë menjëhere pas Tiranës për numrin më të madh të deputetëve që çon në Kuvendin e Shqipërisë, shkruan A2.
Qarku i Fierit përbëhet nga 6 bashki, ku më e madhja është ajo e Fierit, që vjen në këto zgjedhje me 157 761 zgjedhës, të cilët do t’i drejtohen kutive të votimit në 97 qendra votimi. Edhe numri i 18-vjeçarëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje është i dyti më i madh në rang vendi pas Tiranës. Afro 12 783 maturantë pritet t’i drejtohen kutive të votimit ditën e sotme. Ashtu siç është përcaktuar edhe nga udhëzimet e KQZ, qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00, pasi komisionerët kanë zbatuar procedurat e Kodit Zgjedhor që nga sigurimi i kutive të votimit, fletët e votimit, dhomat e fshehta e deri tek pajisjet për identifikimin e votuesve.
Sipas komisionerëve të majtë e të djathtë procesi ka filluar normalisht dhe nuk janë vërejtur problematika. Kujtojmë që vetëm një ditë para heshtjes zgjedhore kandidatja e PS për Qarkun Fier, Kiduina Zaka, ka denoncuar PD se komisionerët e saj janë urdhëruar të mos paraqiten në kohë në qendrat e votimit me qëllim vonesën e nisjes së procesit ditën e diel.
Në Bashkinë Fier për numërimin e votave janë tre KZAZ, 58, 59 dhe 60 ndërsa për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar në gjithë qarkun 514 efektivë të Policisë së Shtetit. KZAZ-ja nr.60, më e madhja dhe e njohur si KZAZ e qytetit, ka 6 qendra votimi, ku pritet që të votojë dhe drejtuesja politike e PS së qarkut, Belinda Balluku, së bashku me djalin e saj, ndërsa Gazment Bardhi do të votojë në Kavajë.
Drejtuesja politike socialiste e qarkut Belinda Balluku kryeson listën e PS, ndërsa drejtuesi politik i PD kryeson listën e mbyllur për këtë qark. Sali Berisha i ka dhënë një vend të sigurt edhe partisë së Ilir Metës, ku kandidatja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhia, është e katërta në listën e mbyllur të Qarkut Fier.
Në fletën e votimit janë 11 parti dhe koalicione. Për Qarkun e Fierit çdo subiekt ka në listën e mbyllur 5 kandidatë dhe 16 në listën e hapur. Qarku i Fierit përgjatë kësaj fushate është cilësuar si zonë e nxehtë ku janë shënuar edhe disa incidente elektorale. Ndër 54 procedimet penale që janë regjistruar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, në Prokurorinë Fier janë regjistruar 5 raste. Kujtojmë që rasti i parë për korrupsion aktiv në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit është shënuar në qytetin e Lushnjes. Ndërkohë, në zgjedhjet e sotme pritet të votojnë edhe 404 shtetas me të drejtë vote do të votojnë në burgun e Fierit. Numri i votave të nevojshme për mandat do të varet nga pjesëmarrja e cila është e paparashikueshme pasi vendi ynë ka pësuar nga viti në vit ndryshime demografike.
Gjithashtu, janë parashikuar masa për lehtësimin e aksesit për grupet e ndjeshme përfshirë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar, ndërkohë që procesi zgjedhor do të ndiqet nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë të cilët do të monitorojnë ecurinë e votimit dhe respektimin e standarteve demokratike. Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, PS siguroi 9 mandate, PD 6, dhe LSI 1. (A2 Televizion)