Këlliçi i shtrin dorën e bashkëpunimit partive të vogla: I gjithë kampi opozitar mori 52 % të votave në Tiranë, mund t’ja dalim

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 16:22 | Politikë

Këlliçi i shtrin dorën e bashkëpunimit partive të

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit subjekteve të tjera opozitare, për zgjedhjet e pjesshme lokalë qe pritet të mbahen në Tiranë dhe disa bashki të tjera të vendit.

Përmes një interviste për emisionin ‘NewsRoom’ në A2 CNN, Këlliçi tha se zgjedhjet e 11 majit treguan se i gjithë kampi opozitar në tërësi, ka marrë rreth 52 % të votave.

Ai shtoi gjithashtu se nëse opozita do të gjejë një kandidat të fortë, me profil të fortë politik dhe konsensual nga të gjitha palët, mund të arrijë fitoren në Bashkinë Tiranë.

“Në 14 maj 2023 nuk ka patur zgjedhje dhe këtë e kemi faktuar. Unë për vete e kam faktuar me aksionin tim politik të dy viteve me radhë. Dhe e kemi faktuar që në rastin e Bashkisë Tiranë i gjithë shtabi elektoral i Erion Veliajt ishte një shtab kriminal, pra ka qenë shtabi 5 D. Kryesorët e këtij shtabi sot janë në burg, për aferat korruptive në Bashkinë Tiranë. Dhe kreu i këtij shtabi Erion Veliaj, po ashtu është në burg.

Unë mendoj se opozita duhet të gjejë modalitetet dhe profilet e kandidatëve me të cilët të përballet me Ogerta Manastirliun, në momentin e parë që do të kemi një dekret të Presidentit, ku do të mësojmë edhe datën e zgjedhjeve në kryeqytet. Kandidati duhet të ketë një profil të qartë politik, për t’i dhënë një mesazh të fortë qytetarëve.

Në farsën elektorale të 11 majit, në fakt po të analizoni shifrat, i gjithë kampi opozitar ka rreth 52 % të votave në Bashkinë e Tiranës. Ky është një moment i artë që duhet shfrytëzuar nga opozita, me një kandidaturë të gjetur, e cila mundet të krijojë një kohezion më të gjerë sesa vetëm anëtarësia, mbështetësit, simpatizantët e PD-së”, tha mes të tjerash Këlliçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos