Gazetari Roland Qafoku ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Partia Demokratike po vonon zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se kjo situatë i ngjan stilit të Lulzim Bashës, ku emrat shfaqen vetëm në momentin e fundit.
Duke folur në emisionin Off the record të Andrea Dangllit, Qafoku tha: “Nuk arrij që ta kuptoj pse PD nuk i zgjidh dot këto kandidaturat. Kjo është e stilit të Lulzim Bashës. Në momentin e fundit del kandidati. PD do të duhej të ishte shumë më përpara se PS. Kjo gjë është artikuluar që kur është arrestuar zoti Veliaj. Sot jemi në fazën ku Jorida Tabaku nuk pranon, Alimehmeti nuk pranon. PD ka kandidatë potencialë, por nuk janë ata që do lidershipi.”
Ai theksoi se një prej alternativave më të forta për garën në kryeqytet mbetet Gazment Bardhi: “Kur do një figurë që fiton, Gazment Bardhi të jetë kandidati i PD-së, sepse është një figurë e lartë dhe të garojë. Ai nuk ka pse ta përjashtojë mundësinë, pasi është një garë nga më të rëndësishmet.” (A2 Televizion)