Gazetari Bledian Koka kërkon që opozita të bashkohet e gjitha në zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës kundër armikut të përbashkët që është Edi Rama.
Për gazetarin Koka, kandidatura e Manastirliut është më e dobëta që kryeministri mund të caktonte për drejtimin e kryeqytetit dhe shtoi që Berisha duhet të ftojë në një koalicion të madhe dhe Qorin, Shehaj, Lapaj etj.
“Unë mendoj se më shumë sesa të nxitohet për të gjetur një emër, duhet gjetur një pikë nisje dhe një pikë bashkimi midis forcave të reja politike. Po të isha Berisha i pari që do të takoja do ishte Arlind Qorin dhe Redi Muçin. Janë një front i ndryshëm në diversitet. Rama është armik i Shehajt, Lapajt, Shabanit, Qorit. Sot Rama dha që kemi dështuar në furnizimin me ujë të Tiranës dhe nuk kanë ujë shtëpitë e të gjithave. Po ky tha që Veliaj ka qenë i suksesshëm, por në Tiranë nuk ecet nga karriget dhe prapë thotë që zgjedhjet i fitojmë ne. Ku i buron kjo siguri. Unë mendoj që kandidati më i dobët është pikërisht Ogerta Manastirliu. Ajo përfaqëson vetëm interesat, nuk prodhon asgjë politike”, tha Koka në Off the Record.
Ndërkohë që deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi eliminoi mundësinë e një bashkëpunimi me demokratët e Sali Berishës në garën për Bashkinë e Tiranës.
"Absolutisht jo. Në analizën tonë PS është në pikën më të dobët me përfaqësimin në Tiranë, edhe pse kandidatja që ja hodhi në prehër barrën për bashkinë është një njeri që nuk ka asnjë arritje në ministritë që ka drejtuar. Lëvizja Bashkë nuk ka për të bashkëpunuar ndonjëherë me Sali Berishën. Ata që na kanë votuar na kanë besuar se kemi një qasje antisistemore. Duhet të qëndrojmë në pozitën tonë. Në analizën tonë, Berisha është paterica kryesore e pushtetit të Edi Ramës. Lëvizja Bashkë është një subjekt i së majtës, propozojmë politika të majta dhe i thërrasim ish votuesve të PS. Si mund të lemë çdo gjë mënjanë me argumentin që të bëhemi bashkë kundër të keqes Edi Rama", tha Muçi për gazetarin Danglli. (A2 Televizion)