“Kërcënohej nga Berisha”, gazetari tregon përplasjet e Nanos dhe mundësinë që i dha Mejdani

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 22:02 | Politikë

Mentor Nazarko, në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, deklaroi se “Fatos Nano u frikësua nga kërcënimet që erdhën nga fronti i Berishës për shkak të vrasjes së Azem Hajdarit”.

“Ndoshta duhet të supozojmë se mund të ketë patur ndonjë lloj gracke të ambasadorit Hill të asaj kohe që ishte në Maqedoni, që kishte shërbyer dhe në Shqipëri. Po flasim për 14 shtatorin 1998 ose shtatorin 1998, kur Nano që komunikonte me të i tha që kam kërcënime për jetën dhe a mund të vij në Maqedoni dhe Hilli e pranoi. Ndoshta Hilli ishte i vetëdijshëm që ky largim, kjo braktisje e detyrës praktikisht do shënonte mbylljen e karrierës së zotit Nano ose dorëheqjen e tij dhe ashtu ndodhi. Dhe Mejdani, për hir të së vërtetës, megjithëse ambasadorja amerikane asaj kohe, e cila kishte marrëdhënie të mira me të, në një farë mënyre në zyrat e presidencës e imponoi Nanon që të largohej. Mejdani i dha një shans dhe i tha që ne nuk mund të lejojmë që të largohet një kryeministër në kohën kur Kryeministria, kur televizioni, kur ministritë janë të rrethuara me autoblinda dhe fitoi ky qëndrimi i urtë i Mejdanit, por Nano asokohe pati një frikë”, kujton Nazarko.

“Nano ishte dikushi që i reflektonte ato dobësitë e veta për shkak të vrasjes së një gruaje përpara Vilës 30 dhe ai nuk e pranonte, nuk e mbante dot në kurriz një ngjarje tërësisht aksidentale, kur një ushtar qëlloi në tokë, bëri rikoshet dhe u vra një grua. Ky është momenti i dorëheqjes së tij, por edhe i ndikimit prej tij të zotit Majko si kryeministër. Këto kanë qenë momentet që unë do të veçoja nga një figurë e tillë. Do të mbajmë mend siç thashë për liberalizmin e tij, për shkallën e lartë të demokracisë që ka patur në drejtimin e Partisë Socialiste, natyrisht edhe për këtë sensin e tij aventuresk të drejtimit të pushtetit, djaloshar, por edhe, mund të duket paradoksale, për drejtimin apo për mbrojtjen e interesit kombëtar në një moment si ky nëpërmjet privatizimeve që përmenda, për të cilat ai praktikisht pati Greqinë kundra. Në fushatën e zgjedhjeve të 2005-s, ambasadori grek bëri qartësisht fushatë kundër tij dhe në favor të Partisë Demokratike, pikërisht për shkak të prekjes së interesave të kompanive celulare nga ana e këtyre veprime të Nanos, të cilat ishin veprime prej shtetari dhe që mbrojti interesin kombëtar të vendit”, shtoi Nazarko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos