"U takuam pasi dola nga burgu në Serbi", Albin Kurti shpreh ngushëllimet për vdekjen e Fatos Nanos

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 21:42 | Politikë

"U takuam pasi dola nga burgu në Serbi", Albin Kurti shpreh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi takimet e tij personale me Nanon dhe vlerësoi kontributin e tij politik në periudhën e tranzicionit demokratik të Shqipërisë.

“Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të”, shkruan Kurti. “Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim njohës.”

Ai tregon se takimin e dytë me Nanon e kishte zhvilluar kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë shqiptare. “Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem dhe Arbën Xhaferin.”

Kurti e përshkruan Fatos Nanon si një figurë qendrore në historinë politike të Shqipërisë gjatë kalimit nga regjimi komunist në sistemin demokratik pluralist.

Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë në periudha të vështira për vendin, nga rënia e komunizmit, te trazirat e vitit 1997 dhe proceset e rindërtimit të mëvonshme”, thekson ai.

Në reagimin e tij, Kurti nënvizon edhe rolin që Nano pati në mbështetjen e çështjes së Kosovës gjatë viteve të luftës dhe mbështetjen për UÇK-në.

Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në periudhën e parë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të saj”, shkruan Kurti.

Kryeministri i Kosovës e mbyll reagimin me një mesazh ngushëllimi për familjen, bashkëpunëtorët dhe bashkëpartiakët e Fatos Nanos.

“Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të tij, si dhe miqve e të afërmve. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos