“Fatos Nano ishte sigurisht një figurë liberale, i cili do të mbetet në kujtesën kolektive, në kujtesën tonë kombëtare si njeri që e respektoi rotacionin. Natyrisht, kishte ato veset e veta, madje ndoshta dhe prej tyre humbi jetën”.
Kështu u shpreh Mentor Nazarko në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
“Pirja e duhanit apo e alkoolit, megjithatë ishte dikush i cili ndoqi rrugë e drejtë të historisë në përgjithësi. Kur zoti Nano ishte në burg, ajo pasqyra që i vinte realitetit nëpërmjet letrave, nëpërmjet kontakteve të ligjshme, të paligjshme me të shoqen apo me të tjerët që vinin nga Tirana ishte ndoshta jo e plotë, megjithatë sinjali që i vinte nga perëndimorët ishte që ne mund t'ju shohim juve, megjithëse partia juaj ishte kundër NATO-s në fillim, por ju duhet të reformoheni, duhet të ndryshoni kupolën drejtuese. Nano dërgoi një letër, dërgoi një mocion i cili skiconte linjat e këtij reformimi të Partisë Socialiste apo dhe drejtimin apo dhe largimin e disa figurave. Ishte një mesazh i cili mund edhe të shkonte në koshin e plehrave. Unë bashkë me tim vëlla, me gazetën Dita, vendosëm që ta ndihmonim në misionin e tillë, duke e folur me Dritëro Agollin, i cili ishte një lloj patriarku i Partisë Socialiste. Ne e nxitëm Dritëroin që të shihte anën pozitive të kësaj ndërmarrjeje të Nanos, i cili në një burg të sigurisë së lartë në Bënçë, kur s'kishte internet, s'kishte mundësi komunikimi, merrte përsipër ta udhëhiqte reformimin e Partisë Socialiste dhe Dritëroi iu përgjigj me intervistë të gjatë në disa numra, pastaj dhe Fatosi ju përgjigj me intervistë të gjatë në disa numra dhe kështu realizuam dialog në distancë mes tyre. Ky dialog përcaktoi votën në Kongresin që i dha të drejtë Nanos dhe u larguan disa prej drejtuesve të Partisë Socialiste”, u shpreh Nazarko. (A2 Televizion)
