Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka ironizuar opozitën pas kërkesave të disa deputetëve për të marrë fjalën. Duke cituar nenin 44 të Rregullores, Balla u shpreh se fjala në momente procedurale mund t’u jepet vetëm atyre deputetëve që kanë shprehur një mendim në seancën e kaluar dhe të cilëve nuk u është zbardhur siç duhet.
Sipas tij në Konferencën e Kryetarëve është arritur konsensus për përbërjen e komisioneve parlamentare dhe për propozimet e opozitës.
“Zoti kryetar i Kuvendit do të kërkoja nga ana juaj që deputetëve parafolës t’u kujtohet se janë në shkelje të hapur të rregullores së Kuvendit. Ky moment procedurial i seancës është i rregulluar nga rregullorja e Kuvendit. I hodha një sy me vëmendje procesverbalit nga seanca e kaluar dhe s’më rezulton se ndonjëri prej deputetëve që kanë marrë fjalës të jenë folës në seancën e kaluar, dhe sipas nenit 44, fjalën mund ta marrin vetëm ata që kanë dhënë mendim seancën e kaluar dhe mendimi i të cilëve nuk është zbardhur si duhet. Për ata që nuk dinë të lexojnë rregulloren e Kuvendit, por lexoj nenin 44, fillimi i seancës plenare. Këta nuk kanë pasur mendim, nuk di unë të rezultojë ndonjë mendim. A mund të kenë pasur ndërmend të shprehin ndonjë mendim, por pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një prej seancave më të rëndësishme, vijnë pas një jave dhe duan të japin mendim. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit, kemi kaluar sot me konsensus në konferencë të kryetarëve përbërjen e komisioneve dhe propozimet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të deputetëve të pavarur, të kalojmë në votim përbërjen e komisioneve dhe të mos bëjmë hile me procedurën“, tha Balla.
Opozita ka kërkuar rikthimin e seancës së 18 shtatorit, e cila zgjati 25 minuta dhe në të cilën u miratua qeveria dhe programi qeverisës. (A2 Televizion)