Partia Demokratike ka kërkuar këtë të enjte ripërsëritjen e seancës së kaluar Parlamentare për prezantimin e programit të qeverisë, duke ngritur akuza edhe ndaj kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi. Deputeti demokrat Belind Këlliçi ironizoi kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe i kërkoi Peleshit që të mos nënshtrohet nga ushtarët e bandës së Elbasanit. Ai kërkoi gjithashtu edhe vënien në dispozicion të rregullores së re.
“Në mungesë të kreut të grupit parlamentar të PD nuk është normale që për procesverbalin ti jepni fjalën dy herë mendimtarit të grupit të PS-së Taulant Balla, një mendimtar i madh dhe nuk është normale që të vetëposhtëroheni si nëpunës i një prej ushtarëve të bandës së Elbasanit. Zoti Peleshi ngrihuni në lartësinë e detyrës. Këtu jeni ju që drejtoni seancën dhe nuk është asnjë nga deputetët e PS. PD është në të drejtën e saj për të kërkuar procesverbalin për të patur të pasqyruar realitetin e seancës së kaluar është e paprecedentë kjo që bëni sot. Nuk ka ndodhur në këtë sallë që të ketë frikë drejtuesi i kuvendit nga fjala e deputetëve të opozitës për procedurë. Ju nuk i jepni fjalën deputetëve të opozitës. Kjo është e paprecedentë dhe padëgjuar. Të gjithë deputetët e opozitës kërkojnë fjalën për të pasqyruar atë që ju nuk ia latë ta themi në seancën e kaluar respektoni rregulloren na vini në dispozicion një rregullore të re të ndryshuar dhe të kalojmë në debat normal", tha Këlliçi.
Edhe deputeti demokrat Tomor Alizoti i këkroi kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi ripërsëritjen e seancës së kaluar, e cila u ndërpre për 25 minuta dhe nuk pati diskutime për programin qeveritar të 4 viteve të ardhshme.
“Zoti Peleshi, ligjërisht mund të jeni kryetar i Kuvendit por moralisht nuk jeni. Morali është element që qëndron gjatë. Parlamenti nuk mund të jetë oborri i kryeministrit por u përket të gjithë shqiptarëve. Është hera e parë që ndërpritet seanca themelore e këtij mandati ku njerëzit të mos diskutojnë. Shikoj tendencë që kur flet shumica ju tentoni të gjeni arsye për të vazhduar. Kërkoj në procerverbal rikthimin e seancës. Precedenti politik edhe në drejtësi është akt i rrezikshëm, hera e parë në 30 vjet që ndërpritet seanca themelore, më e rëndësishme e këtij mandati. Opozita ka fjalën, lëri njerëzit të diskutojnë. Edhe në kohën e Adil Çarçanit ka pasur debate në këtë kuvend. Keni kartën e BE-së. Do iu lutesha të rikthehet seanca e parë. Ku të diskutoni dhe ilumuinoni njerëzit që do në BE, por mund ta çoni edhe në Kozmos. Bëhuni moralisht kryetar i kuvendit se iu përket shqiptarëve”, tha ai.
(A2 Televizion)