Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimin e PD, Lezha e Gjirokastra të parat që certifikojnë rezultatin e 11 majit

Nga A2 CNN
18 Qershor 2025, 13:52 | Politikë

Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimin e PD, Lezha e Gjirokastra të parat

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimin e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës dhe të Gjirokastrës. Kërkesa e PD-ASHM për pavlefshmëri zgjedhore nuk u pranua nga gjyqtarët duke lënë në fuqi rezultatin për këto zona zgjedhore.

Demokratët paraqitën kërkesën duke e argumentuar me pretendimet se ka pasur tentativa për manipulim votash, përfshirë dhe ato të Diasporës në këto dy qarqe.

Në zgjedhjet e 11 majit PD e mposhti PS në Lezhë, duke siguruar 4 mandate përkundrejt 3 mandateve të mazhorancës. Ndërkohë që në Gjirokastër triumfuan socialistët, me demokratët që nxorën deputet vetëm Tritan Shehun nga lista e mbyllur.

Kujtojmë se Kolegji Zgjedhor është hallka e fundit ku mund të ankimohet rezultati. Kjo bën që zyrtarisht me vendimin e sotëm të certifikohet rezultati që prodhoi procesi zgjedhor i 11 majit për qarqet Lezhë dhe Gjirokastër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos