Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pritet të certifikojë të mërkurën zgjedhjet edhe në 4 qarqe, atë të Kukësit, Gjirokastrës, Korçës dhe Lezhës.
Ndërkohë ditën e sotme, Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e PD-së për Shkodrën, Dibrën dhe Beratin duke thënë se në zgjedhje nuk ka pavlefshmëri dhe ato nuk përsëriten. Ndërsa për Vlorën, trupa e gjyqtarëve do të vendosë më 26 Qershor, raporton A2 CNN.
Kështu, Kolegji Zgjedhor i hap rrugën ndarjes së mandateve nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi edhe për këto qarqe.
Por kujtojmë se hapi i fundit që KQZ të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve janë 4 qarqet ku me kërkesë të PD është vendosur hapja e kutive dhe rinumërimi i votave, shkruan A2 CNN.
Për Elbasanin, verifikimi i fletëve të votimit është mbyllur, ndërsa në pallatin e Sportit Fahrie Hoti vijon të numërohet Tirana. Numërimi i më shumë se gjysmës së kutive, po nxjerr në pah gabime të vogla, që nuk ndikojnë te mandatet.
Pas Tiranës, në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” do të rinumërohen edhe kutitë e Fierit e pjesërisht të Durrësit. (A2 Televizion)