Rreziku nga Irani, Naço: Situatë serioze, Shqipëria mund të  ketë sulme kibernetike

Nga Fjorela Beleshi
24 Qershor 2025, 14:28 | Politikë

Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme ka shqetësuar jo pak autoritetet në vendin tonë. Këtë fakt e tregon në një intervistë për A2 CNN, Nasip Naço, kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili nënvizoi edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë kundër Iranit, duke përkrahur operacionet e SHBA-së për të shkatërruar kapacitetet bërthamore që kërcënojnë globin.

“Ne jemi larg këtij konflikti, por sa larg jemi, aq afër jemi, pasi jemi të përfshirë. Situata është serioze. Të gjithë nuk e duan luftën, por të gjithë janë të mendimit që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe nuk do ta lejojmë të ketë armë bërthamore”, tha Naço për A2 CNN.

Por sa e rrezikuar është Shqipëria, si një prej vendeve që strehon një numër mjaft të lartë muxhahedinësh, të cilët i përkasin opozitës iraniane? “Sigurisht që ka një farë ndikimi për ta, por si vend anëtar i NATO-s, kur i kemi pranuar, kemi marrë përsipër edhe rrezikun që i shoqëron. Vendimi është marrë bashkë me aleatët tanë dhe besojmë se kemi mbështetjen e tyre. Ne nuk hedhim asnjë hap pa garantuar sigurinë e brendshme dhe bashkëpunimin me partnerët”, shtoi ai.

Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare shprehet se autoritetet në Shqipëri po e ndjekin me vëmendje situatën dhe rrezikun e mundshëm nga Irani, pavarësisht se ende Presidenti nuk ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Nga shkëmbimi i informacionit të deritanishëm, vlerësohet se Shqipëria është e rrezikuar vetëm nga sulmet kibernetike.

“Unë besoj që sulm të drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë nuk do të ketë, por sulme kibernetike ndaj institucioneve ka pasur, ka dhe do të ketë. Këto nuk mund t’i ndalojmë dot, qoftë nga Irani apo nga vende të tjera që nuk janë pjesë e traktatit të NATO-s”, tha Naço.

Përveç rrezikut brenda territorit, Shqipëria ka edhe një detyrim tjetër: t’u vijë në ndihmë qytetarëve shqiptarë që kanë mbetur në Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos