“Vota vdiq pa hyrë në kuti”, Berisha shuan shpresat për ndryshim rezultati nga rinumërimi

Nga A2 CNN
24 Qershor 2025, 17:24 | Politikë

Sali Berisha qartësoi demokratët se nuk duhet të presin ndryshim rezultati nga rinumërimi. Teksa në pallatin e sportit “Farije Hoti” po rivlerësohen vota, lideri i opozitës në në konferencë për mediat pohoi se Partia Demokratike është me tezën, vota vdiq pa hyrë në kuti.

“Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë. Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni. Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti”, tha Berisha.

Pavarësisht kësaj teze, sërish para mediave tregoi disa video që sipas tij tregojnë se vullneti i qytetarëve është tjetërsuar edhe në kutitë e votimit. 

“Ja, shiheni këtë vajzën, kriminele elektorale, komisionere në detyrë. Shikoni se çfarë bën, një nga një shkon dhe voton me zgjedhësit. Urdhëro! Pra, komisionerja kontrollon çdo votë. Edhe ky komisioner kontrollon çdo votë. Pra, votojnë komisionerët”, shton Berisha.

Berisha vijon të kërkojë qeveri teknike dhe përsëritje të zgjedhjeve, por kur vjen fjala te respektimi i statutit të PD, shkruar prej atij vetë, kalon në interpretime për të shpjeguar përse nuk pranon të marrë përgjegjësi duke u larguar. 

“Statuti bën fjalë për zgjedhje, jo për farsë. Të lutem mos e keqinterpreto statutin”. 

Sa i takon zgjedhjeve të pjesshme lokale në disa bashki që pritet të zhvillohen në muajt e vjeshtës, Berisha parashikoi dhe rezultatin e tyre duke thënë se do jenë farsa e radhës  

“Ne themi që do të zhvillohet farsa e radhës. Me Edi Ramën ka vetëm farsë, kjo është e vërteta”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos