Konsensus tjetër PS-PD, Celibashi: 3 ndryshime në kod, zgjatje afati të dokumenteve biometrike

Nga Ervin Koçi
20 Janar 2025, 12:29 | Politikë

Ilirjan Celibashi konfirmoi dakordësinë e arritur në fundjavë ndërmjet socialistëve dhe demokratëve për tre ndryshime në Kodin Zgjedhor. Në një dalje publike Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nënvizoi se miratimi i tyre është i domosdoshëm për të mundësuar votimin nga jashtë, ku krahas pagesës së plotë të shërbimit postar nga shteti, KQZ ka nevojë për më shumë kohë për menaxhimin e procesit.

“Rishikimin e afateve që lidhem me regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve me qëllim për të përfituar dhe 10 ditë më shumë në dispozicion për të përgatitur ashtu sikurse duhet dhe pa e vendosur në rrezik procesin e përgatitjes së fletëve të votimit dhe dërgimin e tyre te votuesit nga jashtë”, tha Celibashi.

Amendamenti i tretë lidhet me numërimin e votës së diasporës, ku për të garantuar më shumë besim mes palëve në garë, KQZ do t’i japë akses partive politike.

“Në procesin e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit të përfshihen edhe partitë politike, veçmas KQZ”, u shpreh kreu i KQZ.

Për të votuar në zgjedhje duhet të kesh një dokument identifikimi dhe shifrat e atyre më karta apo pasaporta të skaduar është i lartë. Mbi 435 mijë votues pritet të jenë pa letërnjoftim, mbi 600 mijë pa pasaportë biometrike dhe gati 210 mijë parashikohet të mos kenë asnjërin nga dokumentet e nevojshme në ditën e votimit.

“Besoj se është e përligjur t’i kërkojmë KM zgjatjen e vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit të paktën për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit”, tha Celibashi.

Ilirjan Celibashi u pyet nga gazetarët edhe për shqetësimet e ngritura në opinion në lidhje me zyrat e hapura nga partitë politike për të regjistruar emigrantët.

“Ajo çka mund të garantoj me siguri të plotë është se fleta që KQZ do t’i dërgojë çdo votuesit, do t’i mbërrijë votuesit në dorë.  Nëse rezulton se votuesi nuk ëhstë atje ku ka adresë, pas tentativën e tretë apo të katërt, fleta e votimit do të kthehet në KQZ”.

Procesi i regjistirmit të emigrantëve është në mesataren e rreth 5 mijë aplikimeve në ditë por mbi 35% e tyre janë refuzuar për shkak të deklarimit të gabuar të adresës. Për këtë, KQZ bëri apel që shqiptarët që banojnë jashtë vendit të ngarkojnë në sistem dokumente që provojnë adresat e deklaruara.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos