Partia Demokratike do të mbështesë kandidatë të pavarur për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.
Në mbledhjen e Kryesisë, që zgjati më shumë se 150 minuta, demokratët vendosën që të pranojnë kandidaturat jo vetëm jashtë partisë, por edhe jashtë opozitës.
“PD, ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura”, tha Berisha, shkruan A2.
Berisha pohoi se edhe forcat e tjera aleate këtë gjë kanë kërkuar, ndaj ftoi qytetarët që të paraqiten për të kërkuar mbështetjen e të gjithë spektrit opozitar: “Ky është një moment, do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur”.
Aspirantët për kryetarë bashkie nuk kanë shumë kohë, pasi Berisha pohoi se do të presin vetëm 48 orë: “Mendoj se dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e mjaftueshme, pasi edhe zgjatja do të ishte e pamundur”.
Kryetari i Partisë Demokratike pohoi gjithashtu se nëse asnjë intelektual apo qytetar i angazhuar nuk do të kërkojë të garojë në emër të opozitës, atëherë do të vijohet me një kandidat brenda radhëve të saj. (A2 Televizion)