Koordinatori i Departamentit të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, Richard Nephew deklaroi gjatë vizitës në Tiranë se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë në përpjekjet e saj për të përmirësuar gjyqësorin.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësore që ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe që ekzistojnë tashmë të jenë sa më të efektshme. Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend”, tha Nephew.
Në një intervistë për VOA, zyrtari amerikan vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, teksa shtoi se ka ende punë për të bërë.
“Pra që mund të jetë duke u bërë përparim dhe që duhet bërë më shumë përparim. Realiteti është që lufta kundër korrupsionit është afatgjatë. Kërkon shumë përpjekje këmbëngulëse. Sigurisht kërkon edhe përpjekje këmbëngulëse ku të duhet gjithmonë të shohësh mënyrat për t’u angazhuar në reforma, në zgjidhjet që mund të gjenden dhe të sigurosh që organet që janë ngarkuar për ta siguruar luftën kundër korrupsionit me sukses ta kenë aftësinë për ta bërë këtë. Kështu që mendoj se sigurisht ka patur përparim, por ka mjaft më shumë që mund të bëhet dhe ne jemi këtu për ta mbështetur Shqipërinë në këtë përpjekje”, shtoi zyrtari amerikan.
Nephew po ashtu e cilësoi si të shkëlqyer punën e SPAK deri në këto momente. (A2 Televizion)