
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”. Ky ishte mesazhi i kryediplomatit Ferit Hoxha nga Prishtina, në konferencën e përbashkët për mediat me homologun Glauk Konjufca.
Në fjalën e mbajtur të dy ministrat e Jashtëm theksuan domosdoshmërinë për një koordinim më të intensifikuar mes dy shteteve tona, me dinamikat e reja në rajon, si dhe kohët e paqëndrueshme globale.
Hoxha vuri në dukje se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, ndërsa Konjufca kërkoi mbështetjen e Tiranës për përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh: “Në diskutuam për një varg çështjesh në interesin tonë të përbashkët. Në këto kohe paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktorë të stabilitetit në rajon. Krahas orientimit euro-integrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë, ka qenë faktor stabiliteti. I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë për mbështetjen e mërgatës shqiptare kudo në botë. Përtej abetares duhet të shkojmë drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë ndër të tjera u shpreh: “Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë në krye të MEPJ. Diskutimet që patëm sot ishin të hapura, të sinqerta, vllazërore. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Europë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci. Diskutuam për rritjen e koordinimit të ministrive tona të jashtme në të gjitha nivelet, përfshirë përfaqësitë diplomatike”.
(A2 Televizion)