FolkKid bashkon trojet, fëmijët sjellin në skenë vallen dhe traditën shqiptare

Nga Artin Halili
31 Maj 2026, 13:12 | Aktualitet

12 grupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë në FolkKid, festivalin folklorik mbarëkombëtar për fëmijë, i cili organizohet për herë të parë nga Këshilli i Qarkut në Parkun Kombëtar Turistik të Drilonit, raporton A2CNN. 

Grupet kanë sjellë në këtë festival kostumografinë e pasur të gjithë trevave shqipfolëse, ashtu siç sollën dhe vallet burimore nga Peja në Rrajcë, nga Devolli në Manastir e nga Kolonja, Korça dhe Devolli deri në Myzeqe.

Për koreografin e grupit folklorik të Pejës Tasim Dajci, kostumografia shqiptare është shumë e pasur ndaj një festival si ky i shërben ruajtjes së traditës.

Unë shoh një gjë të bukur shume këtu. Me këto valle te bukura, ti po i jep qytetit një kryevepër. Motive të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, kostume legjendare, për dy tre vite kjo arrin kulmin. Po shoh nivel vallesh. Është e vështirë por këtu shoh valle burimore të stilisuara”.

Në të njëjtën linjë është koreografi maqedonas Filip Jakovlevski kur thotë se vallet e Ballkanit janë të ngjashme në tipologji ndërsa t'i ruash është e vështirë për shkak të modernizimit.

Mendoj që kemi të ngjashme në valle, këngë e traditë. Kufijtë janë politikë, njerëzit shkëmbejnë njeri me tjetrin kulturën. Ne jemi të ngjashëm. Është e vështirë sepse ka modernizëm sot, ka telefona, ka teknologji”.

Marina Tërpo nga Pusteci ka ardhur në këtë festival në një kostum 200 vjeçar të trashëguar nga familja e saj

Po është i vjetër është i familjes sime i trashëguar brez pas brezi nga stërgjyshërit e mi. Gërshëten e ruajmë në muze e Tani e kam me vete. E kemi vallen e vjetër e të lashtë, i përdorim nëpër festivale".

Ndërkohë që Ina Begolli nga Peja ka interpretuar vallen e njohur të Rugovës: “Kjo është valle e Rugovës. Ne e mësojmë shumë vallet, ushtrojmë shumë për to, janë tradicionale, të vështira, i ruajmë traditat shumë".

Për kryetarin e këshillit të Qarkut Petrika Tollkuci, një festival si ky ka për qëllim ruajtjen e traditës dhe entografisë ndaj e për këtë ka siguruar që shumë shpejt festivali do jetë më shumëperfshirës.

"Kryesorja është evidentimi i traditës dhe kulturës, këngëve dhe valleve, përcjellja e tyre drejt së ardhmes. Janë si bletët e vogla që mbledhin nektarin për mjalti neser. Si kryetar i qarkut jam i lumtur që kemi organizuar një eveniment të tillë. Shpresoj ta kthejmë në ndërkombëtar".

Për më shumë se 3 ore grupet kanë sjellë jo vetëm kostumografinë e krahinave të ndryshme por e vallet, përfshi e vallet e kënduara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos