Kryebashkiaku i Skraparit, thirrje deputetëve të PS dhe PD: Të bëhemi bashkë për të ndërtuar rrugët e zonës sonë

Nga A2 CNN
12 Shtator 2025, 14:22 | Politikë

Kryebashkiaku i Skraparit, thirrje deputetëve të PS dhe PD: Të

Kryebashkiaku i Skraparit, Adriatik Mema, i ka bërë sot thirrje deputetëve të dy kaheve politike që janë nga Skrapari për të bashkëpunuar në lidhje me hartimin dhe veçanërisht zbatimin e disa projekteve që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore të kësaj bashkie.

Në një mesazh qa ai i ka dërguar Enriketa Jahos dhe Hysen Buzalit, deputetë të PS, por edhe Besart Xhaferrit dhe Zija Ismailit, deputetë të PD, u ka kërkuar bashkëpunim për hir të një interesi madhor, që është ndërtimi i rrugëve të komunikimit të kësaj zone, shkruan A2.

Skrapari është e vetmja zonë në Shqipëri që është totalisht e izoluar dhe nuk ka lidhje infrastrukturore me asnjë nga bashkitë fqinje, përveç Beratit që të çon atje. Edhe pse Skrapari ka fqinj Korçën, Gramshin, Përmetin dhe në një zonë të vogël edhe Kolonjën, me asnjë nga këto bashki nuk ka komunikim rrugor.

Ndodhur në këtë situatë kryebashkiaku Mema u është drejtuar deputetëve të bashkëpunojnë për të bërë të mundur ndryshimin e situatës që banorëve u është premtuar për 35 vjet. Mes të tjerave, Mema shkruan: “Pavarësisht përkatësisë suaj partiake, besoj fort se ajo që ju bashkon ju të katërt është Skrapari, vendi juaj i orgjinës. Ndaj, si kryetar i Bashkisë, do të kërkoja përunjësisht mbështetjen tuaj sa i takon projekteve zhvillimore për Skraparin. Me formimin tuaj, ju e keni mundësinë të jeni një zë i fuqishëm dhe i mirëkoordinuar në Kuvend, që si asnjëherë më parë, të mund të bëhet më shumë për Skraparin dhe atë komunitet të mrekullueshëm që vërtet meriton shumë më tepër”.

Ndërkohë, mësohet që të katër deputetët i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje dhe shumë shpejt pritet të organizohet një takim me kryebashkiakun Mema.

Mesazhi i plotë i kryebashkiakut të Skraparit, Adriatik Mema:

Mesazh për:

Zj. Enriketa Jaho

Z. Zija Ismaili

Z. Besart Xhaferri

Z. Hysen Buzali

Mirëmëngjes!

Teksa bëheni gati të betoheni si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dëshiroj t’ju uroj suksese dhe mbarësi në këtë rrugëtim plot përgjegjësi që po nisni sot. Jam i bindur se ju do të jepni më të mirën në shërbim të atyre që ju kanë votuar dhe jo vetëm, për t’i përfaqësuar dhe për t’ju shërbyer me dinjitet dhe në lartësinë që kjo detyrë fisnike kërkon.

Pavarësisht përkatësisë tuaj partiake, besoj fort se ajo që ju bashkon ju të katërt është Skrapari, vendi juaj i origjinës. Ndaj, si kryetar i Bashkisë, do të kërkoja përunjësisht mbështetjen tuaj sa i takon projekteve zhvillimore për Skraparin. Me formimin tuaj, ju e keni mundësinë të jeni një zë i fuqishëm dhe i mirëkoordinuar në Kuvend, që si asnjëherë më parë të mund të bëhet më shumë për Skraparin dhe atë komunitet të mrekullueshëm që vërtetë meriton shumë më tepër. Në çdo kohë Skrapari i ka dhënë më shumë politikës se ka “marrë” prej saj. Është momenti që ky trend të ndryshojë. Besoj fort se ju do të kontribuoni në këtë drejtim.

Edhe një herë ju uroj suksese dhe mbarësi!

Me konsideratë të lartë,

Adriatik Mema

Kryetar i Bashkisë Skrapar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos