Check-up dhe dializa i kalojnë shtetit, Alimehmeti: Kontrata të centralizuara në dorë

Nga A2 CNN
15 Gusht 2026, 15:33 | Politikë

Check-up dhe dializa i kalojnë shtetit, Alimehmeti: Kontrata të

Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, ka ngritur akuza të forta për shërbimin e dializës në Shqipëri, duke e cilësuar si një skandal me vlerë rreth 50 milionë euro dhe duke akuzuar qeverinë se po përgatit tenderin e radhës për këtë shërbim.

Në një deklaratë nga selia blu, Alimehmeti thotë se qeveria po përgatit një procedurë të re që, sipas tij, rrezikon të favorizojë operatorin privat dhe të forcojë monopolin në tregun e dializës, shkruan A2.

Sipas Alimehmetit, shërbimi i dializës është një shërbim jetik për pacientët dhe për këtë arsye procedurat e prokurimit duhet të garantojnë konkurrencë reale dhe përdorim sa më eficient të parave publike.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë, përpara dy javësh, ministrja e Shëndetësisë Sala njoftoi se pas përfundimit të koncesionit 10-vjeçar, shërbimi i hemodializës do t’i rikthehet shtetit. Ministrja Sala deklaroi se dializat dhe check-up-i do të merren në dorëzim e do të vijojnë të ofrohen pas përfundimit të kontratave përkatëse e ky proces i është ngarkuar operatorit të shërbimeve të integruara të sterilizimit, një shoqëri kjo 100% shtetërore.

Sipas informacioneve, kjo agjenci drejtohet nga zonja Arisa Cane, që ka punuar më parë embriologe pranë Spitalit Amerikan.

Pak ditë më vonë, del në fakt një tender i ri që dëshmon planin e vërtetë të Edi Ramës për shërbimin e dializës. Për pjesën e koncesionit e cila nuk do të mbahet realisht nga shteti, e me shumë gjasë do t’i mbetet me çmime dhe më të larta të njëjtit operator privat, Spitalit Amerikan të Klodian Allajbeut, i cili tashmë ka krijuar një monopol në shërbimin e hemodializës në Shqipëri.

Sipas të dhënave të publikuara, OSHIS-ja ka planifikuar një procedurë me vlerë 50 milionë euro për shërbimin e dializës në 5 spitale publike, të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit për periudhën 4-vjeçare të ardhshme. Me 12.5 milionë euro në vit, kjo është në fakt një kosto shumë e lartë dhe madje më e lartë sesa kontrata 10-vjeçare e koncesionit të dializës së mëparshme. Pra në vend që pas 10 vitesh koncesion, shteti ta marrë shërbimin dhe ta administrojë me kapacitetet dhe pajisjet që duhet t’i trashëgonte nga privati, po përgatitet sërish një kontratë shumëvjeçare me kosto dhe barrë të lartë financiare për taksapaguesit shqiptarë.

E prandaj ministrja Sala duhet të dalë e duhet të sqarojë: Ku është shtetëzimi? Nëse shërbimi, pajisjet, investimi apo riinvestimi i kalojnë shtetit, përse shteti duhet të shpenzojë 50 milionë euro të tjera për ta nënkontraktuar për këto 4 vite?

Përpara se qeveria t’i japë një tjetër kontratë shumëvjeçare, duhet të bëjë transparencë. Çfarë po merr realisht shteti pas 10 vitesh nga koncesioni i parë? A është kjo një mënyrë për të mbuluar shkeljen e kontratës koncesionare, mosinvestimin, abuzimin me pagesat për shërbimet e pakryera e shumë probleme të tjera? A është realizuar 100% riinvestimi i parashikuar në kontratë? Cila është vlera reale e aseteve që po merren në dorëzim? A është ngritur grupi i punës që kërkon kontrata për inspektimin dhe marrjen në dorëzim? Çfarë ka konstatuar grupi i punës? Ku janë inventarët dhe raportet teknike?

Të gjitha këto dokumente dhe raporte duhen bërë publike. E në fakt këto pyetje vijnë pas auditeve të njëpasnjëshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka konstatuar se koncesionari kishte hyrë në vitin e 8-të pa filluar në afat riinvestimin në pajisjet mjekësore, ndonëse kontrata parashikonte që në 4 vitet e fundit aparaturat të rinovoheshin në mënyrë të tillë që t’i kalonin shtetit të reja apo me shumë pak orë pune dhe në gatishmëri të plotë për përdorim.

Pra përpara se ministrja Sala të angazhojë 50 milionë euro të tjera publike, shqiptarët duhet ta dinë: çfarë morën për miliardat që kemi paguar deri tani? A po përgatitet një kontratë e re për të njëjtin përfitues?

Historia e koncesionit të parë duhet kujtuar. Kur ministrja e asokohe Ilir Beqaj, me urdhër të Edi Ramës, paracaktoi fituesin, firmën “Evita SHPK”, edhe pse kishte një ofertë më të lartë se 4 konkurrentët e tjerë. Firmë e cila nuk kishte as eksperiencë të mëparshme në hemodializë. Vetëm 5 ditë përpara shpalljes së fituesit, Evita krijoi “Diavita”-n në Spitalin Amerikan të përfaqësuar nga Klodian Allajbeu. E kjo kontratë, e kjo procedurë duhet të marrë një administrim e duhet hetuar nga SPAK.

Prandaj sot, kur po përgatitet një tender i ri shumëvjeçar për të njëjtin shërbim dhe për të njëjtat 5 qendra, pyetja është legjitime: A ka konflikt interesi drejtoresha e operatorit? A ka konflikt interesi ministrja e Shëndetësisë? A po përgatitet përsëri një tender me fitues të paracaktuar? A janë kriteret e tenderit të ri të hapura për konkurrencë reale, apo eksperienca, kapacitetet teknike, pajisjet dhe kriteret e tjera po ndërtohen në mënyrë të tillë që vetëm operatori aktual ose një strukturë e lidhur me të të jetë në gjendje t’i plotësojë? A është përsëri fituesi i paracaktuar Klodian Allajbeu?

SPAK nuk mund të heshtë më dhe duhet të hetojë të gjithë zinxhirin e këtyre procedurave.

Përpara se një kontratë tjetër shumëvjeçare t’i japë privatit dhjetëra miliona euro të tjera, duhet të hetohet si u dha dhe si u zbatohet koncesioni i parë. Nëse tenderi është realisht i hapur dhe konkurrues, ministrja Sala le t’i publikojë që sot të gjitha kriteret dhe dokumentet e nevojshme. Nëse shteti po merr realisht në dorëzim një shërbim funksional, le të publikojë që sot inventarin e aseteve dhe të pajisjeve të cilat po merr në dorëzim. Dhe nëse koncesioni i parë ishte i ligjshëm dhe në interes të qytetarëve, SPAK le t’i hetojë dokumentet, bëjë transparencë e ta provojë. Sepse heshtja nuk është përgjigje. Faleminderit! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos