
Deputeti socialist Ulsi Manja ka kërkuar dhe apeluar për një hetim të shpejtë nga Prokuroria e Dibrës në lidhje me zjarrin që ka përfshirë Lurën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manja thekson se dy avionë me mbi 200 forca po luftojnë me flakët në terren.
Sipas tij, Prokuroria e Dibrës nuk po tregon të njëjtën urgjencë për të zbuluar kush e vuri zjarrin.
REAGIMI
Prej ditësh Lura po digjet. Dy avionë dhe mbi 200 forca (zjarrfikës, Bashkia Dibër, Emergjencat Civile dhe 51 ushtarë) po luftojnë me flakët për të shpëtuar një nga pasuritë më të çmuara të Shqipërisë. Por ndërsa në terren jepet gjithçka, Prokuroria e Dibrës nuk po tregon të njëjtën urgjencë për të zbuluar kush e vuri zjarrin. Policia dhe institucionet e tjera duhet të kenë mbështetjen e menjëhershme dhe të plotë të prokurorisë. Duhet hetim i shpejtë, i gjithanshëm dhe objektiv – vatër pas vatre – deri te autorët e vërtetë. Nuk mjafton të procedohen vetëm zyrtarë të pyjeve. Duhet të gjenden zjarrvënësit. Dibra është ndër zonat me kriminalitetin më të ulët. Nuk ka sot çështje më urgjente sesa kjo katastrofë mjedisore.
Kërkoj publikisht që Prokuroria e Dibrës të mbështesë pa rezervë Policinë e Shtetit dhe t’u shkojë deri në fund autorëve. Nëse shqetësimet për zvarritjen e hetimit nuk marrin përgjigje, do t’i kërkohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë veprimtarinë e prokurorit/es që ka dosjen. Askush nuk është mbi përgjegjësinë. Zjarrfikësit po bëjnë detyrën.
Ushtria po bën detyrën. Policia duhet të ketë çdo mbështetje. Është koha që edhe Prokuroria e Dibrës të bëjë të sajën. (A2 Televizion)