Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për kërkesën e Partisë Demokratike kundër zgjedhjes së Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit, duke lënë në fuqi vendimin e Kuvendit për emërimin e tij.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka rrëzuar pretendimet e opozitës për mungesë të kritereve të meritës, papajtueshmëri për shkak të angazhimeve të mëparshme politike të Shabanit, si dhe parregullsi në procedurën parlamentare të zgjedhjes.
Sa i përket kritereve të meritës, Kushtetuesja vlerëson se dokumentacioni i paraqitur nga Shabani, së bashku me të dhënat e verifikueshme në burime publike, përbënin bazë të mjaftueshme për të provuar njohuritë dhe veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit.
Për pretendimin e PD-së mbi papajtueshmërinë për shkak të angazhimeve të mëparshme politike, Gjykata ka argumentuar se momenti vendimtar për verifikimin e këtij kushti është fillimi i ushtrimit të detyrës, konkretisht dita e betimit. Sipas vendimit, Shabani ishte larguar nga drejtimi dhe anëtarësia në partinë “Nisma Thurje”, si dhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, përpara se të merrte detyrën.
Një tjetër pikë e shqyrtuar ishte tërheqja e firmave të deputetëve demokratë nga kandidatura e Shabanit. Gjykata arsyeton se mbështetja prej 28 deputetësh ishte siguruar brenda afatit të përcaktuar, ndërsa tërheqja e firmave pas përfundimit të këtij afati nuk mund të prodhonte pasoja juridike.
Sipas Kushtetueses, firmat shërbejnë për zyrtarizimin e kandidaturës dhe nuk e detyrojnë deputetin të votojë pro kandidatit në seancën plenare. Deputetët ruajnë të drejtën të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se pretendimet për marrëveshjet politike dhe çështjet e rregullores parlamentare nuk përbënin çështje të nivelit kushtetues.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar cenim të normave apo parimeve kushtetuese në procesin që çoi në zgjedhjen e Endri Shabanit me 85 vota pro në Kuvend, më 11 dhjetor 2025, dhe ka vendosur rrëzimin e kërkesës (A2 Televizion)