Gati një muaj që nga konstituimi, Kuvend arriti të zhvillonte një seancë plenare normale. Opozita preferoi t’i rikthehej diskutimit të çështjeve që ishin në rendin e ditës, ndërsa socialistët, respektuan regjimin e ri të demokratëve në sallë.
Pjesë e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së demokratëve të depozituar në Kuvend që në vitin 2021, për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, i cili për ironi të fatit, përkoi të shqyrtohej një ditë përpara protestës që do të zhvillohet në Tiranë për lirimin e komandantëve të UÇK-së, e cila zhvendosi fokusin e debatit.
Protestën që do të mbahet në Tiranë, demokratët e kanë cilësuar të sponsorizuar nga partia në pushtet, duke refuzuar kategorikisht pjesëmarrjen në tubim.
Nga radhët e demokratëve doli aleati Fatmir Mediu i cili u shpreh se mbështet çdo tubim në emër të Kosovës, por pa lënë pas akuzat ndaj të majtëve.
Krahas rezolutës për Kosovën seanca parashikonte edhe dy kërkesa të tjera të demokratëve, e para për zhvillimin e një mocioni me debat mbi programin analitik të qeverisë, ndërsa tjetri për ngritjen e një komisioni të posaçëm për fondet IPARD, ku që të dyja u rrëzuan nga maxhoranca. (A2 Televizion)