Lamtumirë Fatos Nano! Mijëra të pranishëm në ceremoninë mortore

Nga Anesti Barjamemaj
2 Nëntor 2025, 19:14 | Politikë

Nuk pati asnjë përpjekje për të fshehur dhimbjen mes lotëve. Ashtu ndodhi edhe kur do të duhej ballë të gjithëve të mbante fjalimin e lamtumirës për bashkëshortin e saj, martesa më të cilin shënoi një thyerje tabuje të fortë në shoqërinë shqiptare. Ju pohoi të pranishmëve në mort pse ishte dashuruar me Fatos Nanon.

Xhoana Nano, bashkëshortja e Fatos Nanos: Kisha rënë në dashuri edhe me vizionin për një Shqipëri ndryshe.

Udhëtarja e tij e jetës në çerek shekullin e fundit, siç vetë Xhoana Nano e quajti veten, me lot në sy u shpreh se këtë ditë nuk donte ta jetonte kurrë.

Fjalimit me tone emocionuese, ku pas çdo fraze rridhnin lotët, Xhoana i dha edhe ngjyrime politike, si për të thënë që politikës i mungon lloji i politikanit që Nano ishte, shkruan A2 CNN.

I njeh edhe meritën që arrinte të ishte ndryshe prej të tjerëve.

Xhoana Nano: Eci mes baltës, por nuk u bë pis.

Mirënjohje dhe mesazhe domethënëse edhe nga Sokol Nano, djali i ish-kryeministrit që po jepej lamtumira e fundit.

Për gati 5 orë, Fatos Nano u nderua nga mijëra qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite, figura të larta shtetërore, përfaqësues të dy kampeve politike.

Mungonin ish-presidentët që e kanë shoqëruar për keq e për mirë në karrierën e tij politike, si Sali Berisha, por edhe Rexhep Mejdani. Ndërsa njëri pas tjetrit u shfaqën në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dy liderët politikë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti për t’i dhënë lamtumirën ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste.

Ndërsa Kryeministri Rama rezervoi këtë mbyllje në fjalimin e tij. ‘’Mos vdeksh kurrë!’’

Miq dhe të afërm të Fatos Nanos kanë rrëfyer në ditët e fundit se ai e jetoi jetën siç deshi dhe sipas mënyrë së tij, ndaj dhe arkmorti u përcoll jo vetëm me duartrokitje dhe karafila të bardhë, por në sfond dëgjohej edhe kënga e Frenk Sinatrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos