Leximi i opozitës, Berisha: Progres raporti i KE, aktakuzë ndaj qeverisë

Nga Anesti Barjamemaj
5 Nëntor 2025, 15:02 | Politikë

Një ditë pas publikimit të progres raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Sali Berisha pasi e ka lexuar në detaje, bëri edhe një interpretim të gjetjeve të Brukselit. Aktakuzë për qeverinë e quajti lideri demokrat dokumentin që ambasadori i Bashkimit Evropian i dorëzoi kryeministrit Edi Rama.

“Ky raport është një aktakuzë ndaj qeverisjes aktuale ku theksohet se zgjedhjet janë të deformuara. Ndonëse KE nuk është një komision i specializuar për zgjedhjet, por ai merr të mirëfilltë ato që institucionet e besimit të mirë shkruajnë, dhe thotë se zgjedhjet ishin të deformuara”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.

Para deputetëve demokratë që po e dëgjonin me vëmendje, në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar, lideri demokrat listoi edhe gjetjet që sipas tij ishin më të rëndat në këtë raport. “Thotë se korrupsioni lulëzon. Thotë se kontrolli parlamentar mbi qeverisjen ka degraduar. Thotë se sistemi gjyqësor është në kolaps. Thotë se krimi i organizuar është tejet i fuqishëm. Thotë se media është tërësisht e kontrolluar dhe e sulmuar. Thotë se administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen”, tha kreu i PD.

Leximi edhe këtë herë duket se është diametralisht i ndryshëm mes mazhorancës dhe opozitës. Teksa shumica lexon se në raport ka superlativa për punën gjatë këtij viti, për Berishën në asnjë rresht nuk flitet për shkëlqim apo progres. “Në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Që të gjitha janë shpikje pasiononte të individëve të caktuar që kërkojnë t’u dezinformojnë ju, t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti. Ky është raporti. Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht”.

Në mbledhjen e grupit, Berisha qartësoi edhe votën kundër ligjit për barazinë gjinore, pavarësisht se Brukseli e konsideron një nga aktet që duhet të miratohet nga Kuvendi, sic edhe ambasadori Gonzato e pohoi në krah të Edi Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos