Në selinë e qeverisë shqiptare, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, e cilësoi progres-raportin për Shqipërinë si pozitiv. BE pranon që nuk mungon dëshira e Shqipërisë për integrimin, por kërkon që punët të bëhen me ritëm, pa cenuar standardet.
“Komisioni Europian është gati të mbështesë Shqipërinë drejt realizimit të synimit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Por kam një rekomandim: urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre. Duhen konsultime domethënëse dhe gjithëpërfshirëse përpara miratimit, të shoqëruara me debate të shëndetshme në Kuvend. Ky projekt duhet të zotërohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, qytetarët, shoqëria civile dhe komunitetet vendore. Duhet të ketë legjitimitet demokratik dhe konsensus në të gjithë shoqërinë”, tha Gonzato.
Duke treguar me dorë kopertinën e raportit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dha leximin e tij mbi dokumentin. “Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë zgjodhi të nënvizonte publikisht kritikat për kriteret politike, të cilat, sipas tij, nuk e ndihmojnë këtë proces”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
“Raporti vlerëson se funksionimi i institucioneve demokratike është sfiduar pjesërisht, kryesisht për shkak të dinamikave si polarizimi i thellë politik, moszbatimi i disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti, mbikëqyrja e kufizuar parlamentare ndaj ekzekutivit dhe mungesa e konsultimeve domethënëse publike. Dëshiroj të përshëndes krijimin së fundi të komisionit të përbashkët parlamentar për reformën zgjedhore. Ne besojmë se puna e këtij komisioni do të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe efektive në arritjen e një reforme të plotë zgjedhore”, u shpreh Gonzato.
Problemet, Edi Rama preferoi t’i gruponte në metaforën e një “gjysme gote bosh”. Përveç materialit të shkruar, Gonzato i la edhe verbalisht Edi Ramës disa detyra për t’u plotësuar.
“Raporti thekson nevojën që ligji i ardhshëm për barazinë gjinore të ruajë nivel të lartë ambicieje, në përputhje me standardet e BE-së. Shpifja ende nuk është dekriminalizuar dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të forcuar pavarësinë dhe pluralizmin e mediave”, tha ai.
Nga kreu i qeverisë nuk pati një premtim të drejtpërdrejtë për këto kërkesa, por Edi Rama e bëri të qartë se nuk largohet nga qeveria pa e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së.
Rama shtoi se, për të shënuar emrin e tij në histori si njeriu që bëri Shqipërinë pjesë të Europës politike, është gati të heqë dorë edhe nga e drejta e votës. Por BE-ja i thotë “jo”, duke theksuar se nuk është kjo çështje në tavolinë për t’u diskutuar.
“Do të duhej një rishikim tërësor i traktateve, dhe nuk po flasim për këtë gjë. Dy kategori shtetesh anëtare do të ishte pikërisht kjo gjë, dhe kjo nuk është aspak diçka që ne e kemi në tryezë apo në listën e punëve tona në lidhje me Komisionin Europian”, tha Gonzato.
Shqipëria deri më tani ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt e negociatave, ndërsa pret një thirrje nga Brukseli për të çelur brenda këtij viti edhe grupin e fundit të kapitujve. (A2 Televizion)




