Në vijim të denoncimit të asaj që e quan farsë elektorale, Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka blerë vota përmes dhënies së licencave për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Kryedemokrati pohoi se Edi Rama, shkeli vetë ligjin që miratoi, por edhe konventat ndërkombëtare për kultivimin e kanabisit.
“Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
Vlera e bimëve të mbjella shkon më shumë se 10 miliardë Euro, pohon Berisha, ku shtoi se zgjedhjet u kanabizuan dhe nuk do të njihen kurrë prej tij dhe Partisë Demokratike. “Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota”.
Berisha pohoi se pas marrjes së licencave për kultivimin e kanabisit, fshihen njerëz të lidhur me kreun e qeverisë. “Siç e shihni, këto ishin zgjedhjet e kanabizimit më të madh në historinë e vendit”. (A2 Televizion)