“Linçimi publik skandaloz”, Rama merr kohë për Veliajn, qesh për paditësin Nesti Angoni

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2024, 19:47 | Politikë

Kryeministri Edi Rama duket se nuk ka marrë ende një vendim për fatin politik të Erion Veliajt. Në konferencën për shtyp të fundvitit, A2CNN pyeti Kryeministrin nëse katërt akuzat mbi të cilat SPAK po heton kryebashkiakun e Tiranës janë mjaftueshëm për të cenuar të ardhmen e tij politike në Partinë Socialiste.

“Përkohësisht di që Erion Veliajt i cenohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. Është pak, por e sigurt që linçimi publik ndaj kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe që kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”, tha Rama.

Edhe pse nuk donte t’i përgjigjej pyetjes nëse kishte dijeni se kush ishte Nesti Angoni, paditësi për të cilin Veliaj thotë se nuk ekziston, një nënqeshje në kamera e detyroi Ramën të fliste pak më shumë se sa dëshironte. 

“Nuk komentoj... me nxite te qeshurën me pyetjen për Anestin, mos më shty në këtë ngasje. Është rast shumë specifik për shumë arsye, por unë nuk kam asnjë arsye. Deri tani s’kam parë asnjë akuzë konkrete për persona konkrete. Personalisht nuk dua të bëj asnjë koment. Asnjë përfaqësues i PS nuk është i lejuar të bëjë koment”, tha kryeministri.

Në pritje të njihet me detajet dhe provat e dosjes së SPAK ndaj Veliajt, Rama duket se i dha vetes kohë.

“Jemi në kushte ku ka fjalë, thashetheme, sms pa emër, të ngjashme me një çorbë derrash. Në kohën e duhur do të mbaj qëndrimin e duhur”, shtoi kreu i qeverisë.

Dikur justifikonte akuzat ndaj bashkëpunëtorëve me filozofinë se ishte sistemi që korruptonte individët. Pas gati 12 vitesh në pushtet, Kryeministri nuk pranon përgjegjësi, përkundrazi, preferohet me paraardhësit deri në kohën e Ahmet Zogut.

“Nuk jam këtu për të ngrënë pula, jam këtu për historinë. Thonë se në kohën e Zogut kishte drejtësi të mirë... por për të tjerët, jo për ministrat e Zogut... për kë donte apo s’donte zogu, donte apo s’donte tigri, sorra”, tha Rama.

4 muaj parazgjedhjeve parlamentare, Edi Rama nuk ka asnjë shqetësim se kundërshtarët politikë mund t’i rrezikojnë fitoren, as partitë e vjetra dhe as ato të rejat.

Rehatia e 2024 nuk është gjithsesi pa dilema, siç është qarku në të cilin do të kërkojë mandatin e deputetit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos