Rritja e bashkëpunimit ekonomik, mundësia e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, si dhe mbështetja për njohje të reja të Kosovës ishin temë e bisedimeve mes presidentit të republikës së Shqipërisë Bajram Begaj me Ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Sh. T. Z. Taufiq Bin Fauzan al-Rabiah.
Në njoftimin e presidencës thuhet se në presidenti Begaj i shprehu Ministrit saudit të Haxhit dhe Umres falënderime për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite ka dhënë ndër vite për Shqipërinë në momente të vështira.
Kreu i Shtetit u shpreh për hapësirat që mund e duhet të shfrytëzohen për të rritur bashkëpunimin ekonomik, investimet direkte, si dhe mundësinë e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, gjë që do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në numrin e turistëve, por edhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, citon A2 njoftimin e presidencës.
Presidenti Begaj vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite, teksa kërkoi ndihmën për të zgjeruar numrin e këtyre vendeve. (A2 Televizion)