Saimir Korreshi, deputet i PD, anëtar i komisionit të kaluar parlamentar për reformën territoriale, në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçen në A2 CNN tha se reforma aktuale territoriale nuk arriti uljen e shpenzimeve dhe të administratës, përkundrazi: “Sot ka më pak shërbime, por dyfishim të punonjësve. Korrupsioni është rritur dhe tarifat për shërbime administrative janë gjithnjë më të larta. Lejet e ndërtimit janë koncentruar, dhe kjo ka qenë një dështim.”
Ai vuri në dyshim motivet e mazhorancës: “Nëse do të kishte një logjikë, do të ishte zgjedhur edhe Avokati i Popullit, por këta nuk kanë të ngopur. Këta do ta bëjnë hartën si të duan vet.”
Korreshi pranoi se nevojitet një reformë e re, duke theksuar se në disa bashki si Lushnja, 75% e buxhetit shkon për paga, ndërsa qyteti po degradon për shkak të mungesës së institucioneve qendrore. Ai shtoi se për një patentë drejtimi qytetarët duhet të shkojnë në Fier, duke ironizuar se Lushnja po bëhet “fshati më i madh i Fierit”.
Sa i përket rolit të opozitës, Korreshi u shpreh: “Opozita duhet të marrë pjesë në çdo reformë dhe të thotë mendimin e saj. Sot, kur nuk ke vota, s’ke çbën, por mendimin duhet ta thuash.” Ai kritikoi mungesën e pjesëmarrjes së opozitës në reformën e vitit 2014, duke shtuar se shumë më tepër bashki mund të ishin përfshirë.
“Opozita vuan sot pikërisht atë ndarje territoriale të vitit 2014, opozitës i janë ofruar shumë më shumë bashki, edhe 84 e kusur bashki. Megjithatë, opozita, me atë budallallëkun e vet, e them me plot bindje nuk ka marrë pjesë. Mund të kishim shumë më shumë bashki sot”, tha Korreshi. (A2 Televizion)