Mazhoranca socialiste vijon me zbatimin e agjendës parlamentare, pavarësisht kërkesave apo kundërshtive të opozitës.
Konkretisht, pasi miratoi e vetme komisionet e reja parlamentare, vendim për të cilin PD do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e Konferencës së Kryetarëve nesër në orën 11:00 për miratimin e listës së anëtarëve dhe zëvendësuesve në komisionet e përhershme parlamentare.
Por, kërkesa e kryeparlamentarit Niko Peleshi, që ka thirrur në një takim krerët e grupeve parlamentare pritet të rikthejë përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila ka kërkuar shkarkimin e tij nga ky post, shkruan A2 CNN.
Raporti i drejtimit të komisioneve është 7 nga PS dhe 4 nga PD. Ashtu si emrat e drejtuesve të këtyre komisioneve, PD pritet të mos dërgojë emrat nga radhët e saj, pasi kundërshton ndryshimin e njëanshëm të rregullores së Kuvendit që çoi në ndarjen 7 me 4 të komisioneve të përhershme. (A2 Televizion)