LIVE| Protesta e opozitës, Berisha: Kjo platformë për bashkimin e shqiptarëve, uragani i fitores

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2025, 18:54 | Politikë

“Kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes, e cila do të vazhdojë deri sa Rama të shporret nga ky vend, do të shndërrohet në uraganin e fuqishëm, në uraganin e besimit, në uraganin e fitores”.

Kështu u shpreh Sali Berisha këtë të hënë në protestën para kryeministrisë. Ai u shpreh se Foltorja e dytë ka si synim të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit. “Ndaj, për të kuptuar pak misionin hapni sytë si e ka rrethuar pëllëmbë me policë e gardistë e ushtarë. Rama je i pa shpresë. Edvin fundi yt nga ky shesh do të vijë”, tha ai.

Lideri i demokratëve shtoi se çdo javë zbulohen afera të rënda të këtij narkoregjimi që sipas tij është kalbur dhe pret vetëm vrullin e qytetarëve që të shkërmoqet, shkruan A2 CNN.

“Kjo javë tregoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe pret vrullin tonë, zemërimin tonë për ta fshirë nga historia. Po këtë javë, në vendin më të sigurt, të supozuar, masakra, kur bandat e qeverisë likujdojnë banda të tjera të qeverisë. Ajo që kulmoi me qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja e narkoparlamentit. Rama dhe banda e tij të dalë nga dhunimi i votës, grabitja e saj, të dalë nga paratë e drogës, aferat më të mëdha korruptive, kanë frikë nga fjala e opozitës. Ndaj ata zgjodhën për t’u mbrojtur ndaj jush të vendosin terrin, errësirën.

Në 10 seanca parlamentare, opozita u lejua të debatonte vetëm në një. Në 10 seanca, qeveria e përbërë nga individë të lidhur me krimin, u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë, tmerr nga ju. Ajo nuk del dot para jush. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve, të cilat u faktuan si një farsë nga komuniteti ndërkombëtar. U hodh poshtë kërkesa për komisionin McGonigal, pasi Rama është po aq fajtor. U hodh poshtë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos