“Mbyllën parlamentin se kanë frikë”, Berisha: Kjo ngrehinë e kalbur pret vrullin tonë të shkërmoqet

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2025, 18:40 | Politikë

“Mbyllën parlamentin se kanë frikë”, Berisha: Kjo

Sali Berisha nga protesta përpara kryeministrisë, deklaroi se opozita zgjodhi të dalë në rrugë, pasi fjala e saj në kuvend pengohet nga mazhoranca. “Në 10 seanca”, tha Berisha, opozita është lejuar të debatojë vetëm një herë.

Lideri i demokratëve shtoi se çdo javë zbulohen afera të rënda të këtij narkoregjimi që sipas tij është kalbur dhe pret vetëm vrullin e qytetarëve që të shkërmoqet.

“Kjo javë tregoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe pret vrullin tonë, zemërimin tonë për ta fshirë nga historia. Po këtë javë, në vendin më të sigurt, të supozuar, masakra, kur bandat e qeverisë likujdojnë banda të tjera të qeverisë. Ajo që kulmoi me qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja e narkoparlamentit. Rama dhe banda e tij të dalë nga dhunimi i votës, grabitja e saj, të dalë nga paratë e drogës, aferat më të mëdha korruptive, kanë frikë nga fjala e opozitës. Ndaj ata zgjodhën për t’u mbrojtur ndaj jush të vendosin terrin, errësirën.

Në 10 seanca parlamentare, opozita u lejua të debatonte vetëm në një. Në 10 seanca, qeveria e përbërë nga individë të lidhur me krimin, u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë, tmerr nga ju. Ajo nuk del dot para jush. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve, të cilat u faktuan si një farsë nga komuniteti ndërkombëtar. U hodh poshtë kërkesa për komisionin McGonigal, pasi Rama është po aq fajtor. U hodh poshtë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos