Në fjalën e tij para protestuesve te kryeministria, Sali Berisha u shpreh se Foltorja e dytë ka si synim të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.
“Ndaj, për të kuptuar pak misionin hapni sytë si e ka rrethuar pëllëmbë me policë e gardistë e ushtarë. Rama je i pa shpresë. Edvin fundi yt nga ky shesh do të vijë”, tha ai.
Lideri i demokratëve shtoi se çdo javë zbulohen afera të rënda të këtij narkoregjimi që sipas tij është kalbur dhe pret vetëm vrullin e qytetarëve që të shkërmoqet.
“Kjo javë tregoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkërmoqet dhe pret vrullin tonë, zemërimin tonë për ta fshirë nga historia. Po këtë javë, në vendin më të sigurt, të supozuar, masakra, kur bandat e qeverisë likujdojnë banda të tjera të qeverisë. Ajo që kulmoi me qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja e narkoparlamentit. Rama dhe banda e tij të dalë nga dhunimi i votës, grabitja e saj, të dalë nga paratë e drogës, aferat më të mëdha korruptive, kanë frikë nga fjala e opozitës. Ndaj ata zgjodhën për t’u mbrojtur ndaj jush të vendosin terrin, errësirën.
Në 10 seanca parlamentare, opozita u lejua të debatonte vetëm në një. Në 10 seanca, qeveria e përbërë nga individë të lidhur me krimin, u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë, tmerr nga ju. Ajo nuk del dot para jush. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhjeve, të cilat u faktuan si një farsë nga komuniteti ndërkombëtar. U hodh poshtë kërkesa për komisionin McGonigal, pasi Rama është po aq fajtor. U hodh poshtë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë”, tha Berisha. (A2 Televizion)
