LIVE| Shkarkimi i Veliajt, Teliti: Pjesë e fitores, ja çfarë presim tashmë

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 20:23 | Politikë

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë. Vendimi u cilësua si një fitore e opozitës nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, i cili foli në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN.

“Po, ne sot kemi arritur një fitore, pasi kemi prej vitesh që kërkojmë largimin e Erion Veliajt. Vetëm vitin e fundit kemi zhvilluar 44 protesta para Bashkisë së Tiranës në shi e diell, me një qëllim të vetëm: largimin e tij. Sot me votën e Këshillit Bashkiak, e cila pasoi urdhrin e kryeministrit, u bë e mundur shkarkimi i Erion Veliajt. Ai tashmë nuk është më kryetar, nuk është më qytetari i parë i Tiranës – sot është rezident në Durrës,” u shpreh Teliti.

Ai theksoi se ky hap është vetëm fillimi i një procesi më të madh politik. “Nga sot duhet të hapim rrugën me vendim të Këshillit të Ministrave për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është pjesë e fitores, por fitorja finale do të jetë kur të kemi ndryshim politik në Tiranë që do të vijë me zgjedhje,” shtoi ai.

Teliti nënvizoi se shkarkimi i Veliajt është vetëm hapi i parë drejt asaj që opozita e sheh si ndryshim të madh në qeverisjen vendore të kryeqytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos