LZHK përkujton 100-vjetorin e Ditës së Republikës, Spahiu: Askush nuk foli, sikur të kemi ardhur nga humëtira

Nga A2 CNN
31 Janar 2025, 16:32 | Politikë

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka përkujtuar sot 100-vjetorin e Ditës së Republikës.

Bashkëkryetari i LZHK përmes deklaratës për media, është shprehur se kjo ditë duhej shprehur edhe në protokollin e shtetit, për rëndësinë që ajo mbart në vetvete.

Ai shtoi gjithashtu se kjo ditë duhej përkujtuar edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit.

Deklarata e plotë e LZHK:

Sot është data 31 janar 2025, saktësisht dhe historikisht, është Dita e Republikës së Shqipërisë, e përcaktuar si e tillë 100 vjet më parë, me vullnet të përfaqësuar të popullit të Shqipërisë.

Nëse do të shtronim një pyetje për qytetarët, politikanët dhe historianët shqiptarë se kur daton forma “Republikë” e regjimit politik që aktualisht ka Shqipëria, ka mundësi që shumica e qytetarëve nuk e dinë, politikanët ka mundësi të mos përgjigjen fare, ndërsa historianët ka mundësi të skuqen nëse me të vërtetë njihen për të tillë.

Do të duhej të shprehej në Protokollin e Shtetit, por është shmangur. Do të duhej të shprehej për këtë datë të shënuar, së paku një shtetar i Republikës së sotme të Shqipërisë. Askush nuk foli, sikur Republika e Shqipërisë të ketë ardhur nga humbëtira.

Në fakt, pikërisht si sot 100 vjet më parë, Asamblea Kushtetuese e Shqipërisë, institucion përfaqësues i zgjedhur nga populli, më 31 janar 1925 e shpalli Shqipërinë “Republika Shqiptare” dhe zgjodhi Ahmet Zogun Kryetar të Republikës, “President” sipas njohjes ndërkombëtare, ku presidenti është edhe kryetar i qeverisë.

Populli shqiptarë i vuajtur dhe thuajse për vite të shumta i paqeverisur, kishte tani ku të mbështetej: kishte shtetin e vet, i cili do të krijonte kushtet për një kohezion më të mirë kombëtar ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve që i paraqiteshin vendit në ato kohëra e situata delikate.

Diktatura komuniste, jo vetëm që nuk e njohu “Republiken Shqiptare”, por edhe e dënoi me vdekje në mungesë Ahmet Zogun, shtetarin që udhëhoqi shtetin më jetëgjatë shqiptar përpara Luftës së Dytë Botërore. Diktaturës komuniste i duhej ky verdikt, midis të tjerash, edhe për ta filluar historinë e Republikës së Shqiperisë më 11 Janar 1946 dhe jo më 31 Janar 1925!

Shteti i sotëm shqiptar e përcakton që në Nenin 1, se “Shqipëria është Republikë parlamentare”, por “harron” ta njohë, me Protokoll Shtetëror, ditën e themelimit të saj, si ditë feste zyrtare, ditë përkujtimi apo ditë e shënuar. Kjo tregon për një defiçit në kulturën politike kombëtare, ndërkohë që shohim se “Dita e Republikës” renditet në kalendarin zyrtar të shumicës së shteteve në botë! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos