Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, citoi të dhënat e anketës së Policisë së Shtetit sa i takon rendit dhe sigurisë publike në vend.
Kreu i qeverisë tha se qytetarët i besojnë Policisë së Shtetit dhe vlerësojnë punën e forcave të rendit, shkruan A2.
Rama tha se 82% e qytetarëve të anketuar nga një kompani e pavaruar suedeze ndjehen të sigurt në Shqipëri.
“Ne jemi sot shumë pranë mesatares së BE për numrin e vrasjeve. Lajmi i mirë është që këtë të vërtetë që ne e shohim te shifrat e lexon edhe në faqet e kësaj ankete. Publiku, shqiptarët, ata që jetojnë jetën e përditshme në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në të gjitha herët e anketimit që prej se kryhet kjo anketë, janë shumë afër logjikës së fakteve të shifrave të progresit të matshëm të Policisë së Shtetit, fakteve që i marrim nga puna e Policisë sëe Shtetit si numri i vrasjeve, aksidenteve, grabitjeve… është një fakt që tregon se populli është shumë i qartë në leximin e situatës së sigurisë edhe në leximin e problematikave si dhe në vlerësimin e punës së Policisë, se të gjithë ata që ua rrokanisin kokën në sallonet e debateve televizive çdo natë dhe balta e përditshme që hidhet nga ata që prej 10 vitesh tanimë nuk kanë lënë gjë pa thënë për Policinë, drejtuesit dhe punonjësit e saj. 82% e qytetarëve ndjehen sot të sigurt ose shumë të sigurt në Shqipëri, brenda normës së BE kjo", deklaroi Rama.
"Reformimi i vazhdueshëm i policisë vazhdon të japë fryte. Në të gjithë trajektoren e viteve, shifrat janë konstante në përmirësim. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Mirëpo këto shifra nuk janë numra, statistika pa vlerë përtej numrave, nuk janë as propagandë siç rëndom përpiqen t’i zhvlerësojnë gjithnjë me këtë fjalë ata që nuk duan të dëgjohet, të flitet mirë as për qeverinë, as për Shqipërinë… se për qeverinë ky popull ka tjetër opinion. Prandaj nuk e kuptojnë asnjëherë se si qeveria kur vjen puna te gjykimet e publikut, vlerësohet”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)