Shumica dërrmuese e shqiptarëve ndihen të sigurt në vend. Ky është rezultati i anketimit të bërë me mbështetjen e Ambasadës Suedeze mbi nivelin e sigurisë dhe besimit te Policia e Shtetit.
Për këtë fakt foli edhe Kryeministrit Edi Rama në një takim me drejtuesit e uniformave blu zhvilluar në Ministrinë e Brendshme, ku dhe u prezantuan gjetjet e anketimit, shkruan A2. Rama shfrytëzoi mundësinë për të hedhur poshtë të gjitha akuzat apo pretendimet e kundërshtarëve politik për problematikat e sigurisë: “Po të lexosh çfarë thuhet, çfarë shkruhet për Policinë e Shtetit në fakt ky do të ishte një vend për të ikur të gjithë me vrap. Në fakt, shifrat dhe faktet flasin komplet të kundërtën. 82% e qytetarëve ndihen sot të sigurtë ose shumë të sigurtë në Shqipëri. Vetëm 4% e qytetarëve kanë qenë viktima të vjedhjes ose sulmit fizik në 5 vitet e fundit. 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si të mirë ose shumë të mirë”.
Por, kur pyeten qytetarët për raportin personal me efektivët e policisë, eksperienca nuk lë shije të mirë. Sipas anketës, 53% e të pyeturve kanë shprehur vlerësim negativ. Për këtë, Kryeministri u tregoi uniformave blu, sidomos Policisë Rrugore, se si duhet të sillen me qytetarët: “Një oficer policie është aty për ta mbrojtur pa diskutim, për ta ndihmuar dhe për ta respektuar pa kushte edhe kur ai qytetar është në gabim dhe jo për ta frikësuar, për ta shpërfillur, apo për ta shqetësuar me gjeste të kota dhe fjalë të kota gjë që fatkeqësisht ndodh dhe nuk ndodh një, dy herë, po ndodh më shpesh. Atëherë ne mund të themi që e kemi fituar betejën e betejave të transformimit demokratik të Shqipërisë. Dhe beteja e betejave është respekti”.
Shefi i qeverisë mendon se teknologjia do t’i vijë në ndihmë sigurisë në vend dhe punës së Policisë së Shtetit. Ai njoftoi se është arritur të sigurohet financim për survejimin me kamera në 20 qytete si dhe në 200 km e parë në rrugët kombëtare. (A2 Televizion)