PS injoroi Kushtetuesen për Xhaçkën, BE: Hap jo në drejtimin e duhur, të zbatohen vendimet e gjykatës

Nga Ervin Koçi
13 Shtator 2024, 12:32 | Politikë

Ky votim i seancës plenare që përmes abstenimit hodhi për të dytën herë poshtë vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke i dhënë mbrojtje politike koleges Olta Xhaçka, nuk u prit mirë nga Bashkimi Europian. 

A2 CNN pyeti delegacionin e BE-së në Tiranë, si e shikon Brukseli qasjen e shumicës në Kuvend. Si rrallë herë, reagimi zyrtar përmbante një gjuhë të hapur, larg zhargonit diplomatik. 

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.”

Ajo që ka zhgënjyer delegacionin e BE-së duket se nuk lidhet vetëm me votimin, por edhe me faktin se gjithçka ndodhi vetëm pak pasi kryeparlamentarja e re Elisa Spiropali ishte angazhuar publikisht për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur”.

Për mandatin e deputetes Olta Xhacka, Gjykata Kushtetuese është shprehur me dy vendime ku ka sanksionuar se trupa e saj është e vetmja që mund të shqyrtojë themelin e çështjes, arsye për të cilën Kuvendi duhet t’ia dërgojë për gjykim. Kryetarja Olta Zaçaj edhe publikisht deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese edhe për Kuvendin. 

Socialistët pretendojnë se Kushtetuta u jep të drejtën të mos pajtohen me këtë qasje, ndaj dhe për të zgjidhur konfliktin, do të kërkojnë një opinion nga Komisioni i Venecias. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos